Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan, në vazhdën e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme nëpër nëndegë, sot ka mbajtur kuvendin zgjedhor në nëndegën “Reshat Ymeri”.
Në punimet e këtij kuvendi i pranishëm ishte edhe Rexhep Kadriu, kryetar i AAK-së në Gjilan, njëherit zëvendësministër i Infrastrukturës.
Ai faleminderoi kryesinë që po mbaron mandatin e rregullt për punën dhe organizimin që e kanë bërë deri më tani. “Kemi kaluar nëpër shumë sfida bashkë, kemi bërë një punë të shkëlqyer gjatë këtyre katër viteve. Rruga nëpër të cilën ka ardhë aleanca deri këtu, nuk ishte e lehtë, por ishte interesante dhe me plotë aktivitete, sepse ju jeni ata që i keni qëndrua besnik organizimit tonë, dhe vizionit të AAK-së”, tha Kadriu.
Si aleancë, kemi dëshmuar pjekuri politike në mandatin e kaluar qeverisës në koalicion në Gjilan. “AAK ka dëshmua se është oferta më serioze për qytetarin, andaj edhe në bashkëqeverisje në Gjilan, por edhe në udhëheqje të qeverisë në nivel vendi, AAK po dëshmon se interes primar e ka mirëqenien e qytetarit dhe të ardhmen evropiane të Kosovës. Andaj, duke e përjetuar një Kosovë ndryshe, aleancës çdo ditë i afrohen kuadro të reja, që realisht janë të përgatitura për tu përball me sfida të reja. AAK është e hapur për të gjithë”, përfundoi Kadriu.
Në frymë demokratike dhe votë unanime, Sadat Ymeri merr besimin për ta drejtua nëndegën “Reshat Ymeri” në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Rikujtojmë se AAK, dega në Gjilan, është në zgjedhjet e rregullta të brendshme, që do të kulmojnë me mbajtjen e kuvendit zgjedhor të degës. AAK është e përkushtuar që nëpërmjet këtij procesi zgjedhor, të dal edhe më e fuqishme dhe e përgatitur për procese të reja në interes të qytetarëve të Gjilanit.