Të dashur qytetarë,
Sot zyrtarisht kam marrë vendimin të rikthehem në jetën publike dhe të garoj për deputet të Kuvendit të Kosovës në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ky hap vjen pas një periudhe reflektimi të thellë personal dhe profesional. Përplot vite, Anamorava më ka besuar përgjegjësi të rëndësishme – si nënkryetar i Komunës së Gjilanit dhe si zëvendësministër i Infrastrukturës, ku kemi shtyrë përpara projekte kapitale historike për Gjilanin dhe Anamoravën, përfshirë autostradën, impiantin e ujërave të zeza dhe investime të tjera kapitale që sot do të ishin drejt përfundimit po të mos ishte ngadalësimi i proceseve nga qeverisja aktuale.
Besoj fuqishëm se Gjilani, Anamorava dhe gjithë Kosova kanë nevojë për një qasje të re, për seriozitet, për punë dhe për stabilitet institucional. Pikërisht për këtë arsye, rrugëtimi im i ri politik nis në Lidhjen Demokratike të Kosovës – partinë që po rikthen shpresën dhe normalitetin në vend.
Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës që më kanë besuar këtë detyrë.
Një falënderim i veçantë shkon për kryetarin e Degës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, për mbështetjen dhe partneritetin e tij të vazhdueshëm, si dhe për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, për ftesën dhe hapësirën për të kontribuar me përvojën time.
Vij në këtë garë me përkushtim të plotë për t’u shërbyer qytetarëve – me eksperiencën e fituar në qeveri, me përvojën nga biznesi dhe me vendosmërinë për t’i rikthyer Anamoravës zhvillimin që e meriton.
Vij për të përfunduar projektet që kanë mbetur pezull.
Vij për Anamoravën. Vij për Kosovën.
Le të zgjedhim shpresën.
#ZgjedhShpresën #LDK #RexhepKadriu








