Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, të martën, pasi filloi seanca ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), megjithatë ajo shkoi në pushim për arsye se ish-presidenti, Hashim Thaçi nuk ishte i pranishëm për arsye shwndetësore.
Në sallën e gjyqit, Rexhep Selimi u shfaq me një kollare ngjyrë blu, e cila mbante motive shtetërore për nder të përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli mbanin kollare të kuqe.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.