Varg e Vi në kuadër të Flakës së Janarit, do të ofrojë për publikun e gjerë, ekspozitën e artit bashkëkohor “Rezistencë”, me kurator Mehmet Behlulin dhe artistët bashkëkohorë: Jakup Ferrin nga Prishtina, Bekim Zeqirin nga Mitrovica, Agron Blaçkorin nga Podujeva, Brilant Milazimin nga Gjilani dhe Fidan Bejtullahin nga Suhareka.
Ekspozita do të hapet më 20 janar 2022, e enjte, ora 19:00, në foajenë e Teatrit të qytetit.
E veçanta e ekspozitës është se për herë të parë, Peneli i Flakës bëhet me ekspozitë të artit bashkëkohor me nismën e Varg e Vi-së, ideatorin e intermediatorin Din Azizin, si dhe me risinë tjetër, që vjen në Gjilan, Jakup Ferri, përfaqësuesi i Kosovës në një nga ngjarjet më të rëndësishme të arteve vizuele në botë, Bienalen e Venedikut.
“Rezistencë” në fizikë, që më pas u bart në elaborimin e forcave në shoqëri, është mishërim i qëndrueshmërisë së trupit për t’u ballafaquar me një presion, kufizim a shtypje. Janari është muaj i rezistencës individuale dhe kolektive kundër shtypjes.
Rezistenca në psikanalizë është edhe frenim për të mos shprehur dhembjet e shtypura që në fëmijëri dhe pafuqia për t’i rikthyer ato në vetëdije, për të mos i rikujtuar e ripërjetuar. Por kuratori Behluli do të vjen me konceptin e tij origjinal për “Rezistencën”, i cili do të shpaloset pikërisht në ditën e hapjes së ekspozitës dhe po e lëmë ta dëgjojmë kundrimin e tij në mbrëmjen e së enjtes. Ai vjen me një perceptim krejtësisht tjetër dhe unik.