Manifestimi kulturor në nderim të heronjve ‘Flaka e Janarit 2022’, që po mbahet në Gjilan, ka vazhduar sonte me ekspozitën e artit bashkëkohor, të titulluar “Rezistencë”, ku ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, nën përkujdesjen e të cilit mbahet ky manifestim.
“Rezistencë” ka qenë pjesë e tërësisë strukturore të eventit të së enjtes, kurator i së cilës ishte profesori Mehmet Behluli.
Në fjalën e tij para artdashësve të shumtë në hollin e teatrit në Gjilan, Behluli theksoi rëndësinë e ekspozitës së prezantuar dhe vet performancës artistike të titulluar “Arti ndryshe”.
Ai u shpreh tejet i kënaqur që kjo ekspozitë/performancë realizohet në një eveniment artistik, siç është manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2022.”
Duke i bërë një rezyme vet titullit të ekspozitës, “Rezistencë”, Behluli e përshkroi atë si analogji krahasuese të simbolikës artistike të fjalës dhe sinonim gjuhësor e konotacion shumëdimensional kuptimor në hapësirë e kohë.
“Vitet 90-ta ishin të tmerrshme nga ardhja e Millosheviqit në pushtet, kur çdo gjë shqiptare pushoi së funksionuari dhe si pasojë e represionit të regjimit të tij të radikalizuar dhe agresiv, u imponua domosdoshmëria e rezistencës, pasi njerëzit u larguan nga objektet publike me dhunë, e që në mënyrë të natyrshme shtoi ‘rezistencën’. Edhe artistët paraqitën rezistencën e tyre në mënyrë artistike, ndonëse nuk ishte hera e parë që ata tentuan që përmes artit të tyre si mjet e vegël, të rezistonin, siç ishte rasti i bacë Adem Demaçit, i cili pikërisht me artin e tij letrar iu kundërvu represionit të kohës”, tha Behluli.
Kuratori i mirënjohur më pas i bëri një paralele rezistencës së dikurshme artistike dhe asaj të sotme, duke vlerësuar se rezistenca e aktualitetit ka ndryshuar në formë e strukturë nga ajo e një gjenerate pararendëse.
“Artistët sot provojnë në të shumtën e rasteve të hulumtojnë edhe fshehtësitë më të errëta, të cilat i mbajnë brendapërbrenda vetes tyre. Madje provojnë të depërtojnë edhe në skajet e skutat më të pa hulumtuara e më të pavetëdijshme të ndërdijes, të cilat janë pjesë e një personaliteti, duke i shtruar vetes pyetje nga më të ndryshme e më të rëndomtat deri te ato më komplekse, të cilave tentojnë t’u japin shpjegime përmes artit të tyre”, vijoi ai.
Në këtë ngjarje artistike, përveç krijuesve të artit nga fusha të ndryshme artistike, të pranishëm ishin edhe përfaqësues institucionalë, të cilët me prezencën e tyre e begatuan eventin si të tillë, ndërsa u performuan edhe pjesë të ndryshme artistike nga “Varg e Vi’, në kuadër të tërësisë strukturore të shtyllës artistike “Peneli i Flakës 2022”.
Manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2022” të premten vijon me akademinë përkujtimore për ish-Presidentin Ibrahim Rugova, ndërsa nga fundjava vazhdon me shtyllën artistike-skenike “Talia e Flakës, ku për gjashtë ditë me radhë do të paraqiten trupa teatrale nga qytete të ndryshme të hapësirës shqiptare, për të vijuar dhe përmbyllur manifestimi me pjesën letrare e atë muzikore.