Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, kryetari i Gjilanit duke e arsyetuar propozimin për bartjen e mjeteve buxhetore nga viti i kaluar, keqpërdori foltoren e kuvendit duke tentuar që të manipulojë publikun.
Duke dashur të akuzojë opozitën për mos votimin e propozimit tij dhe të viktimizojë veten e tij siç e ka zakon, pa fije turpi e tha një të gënjeshtër shumë të madhe.
Projekti i miratuar përmes mbështetjes nga USAID-i, e që buron nga kontrata sociale përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimarrjen e planifikimit të buxhetit komunal, në vlerë prej 30 mijë euro për gratë pensioniste, është bërë vitin e kaluar ku udhëheqës i këtij procesi kam qenë unë personalit si drejtor i buxhetit dhe financave dhe është futur në planifikimin e buxhetit për vitin 2024.
Ndërsa në seancën e fundit të kuvendit komunal deklaroi se në propozimin e tij për bartjen e buxhetit prej 2.5 milion euro është edhe ky projekt i USAID në vlerë prej 30 mijë euro.
Definitivisht, e fatkeqësisht ne Gjilani nuk e meritojmë të kemi një kryetar mashtrues, manipulues e gënjeshtar.
Viktimizimi është dobësia më e madhe e një udhëheqësi, por të tentosh për të viktimizuar edhe qindra punëtorët të ndërmarrjes Tregu, OJQ-të e Gjilanit që kujdesen dhe ofrojnë shërbime për qindra persona me aftësi të kufizuar, qindra gra pensionere dhe një donator tejet kontributdhënëse për Gjilanin siç është USAID-i, vërtet është veprim tejet i ulët dhe skandaloz.