Burime të Radio Star bëjnë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan ka vendosur që në zgjedhjet e ardhshme lokale të garojë me Riad Rashitin si kandidat për kryetar komune.
Rashiti njihet për përvojën e tij të gjatë në administratën komunale. Ai ka drejtuar Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik, ku është angazhuar në nxitjen e investimeve dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset lokale. Gjithashtu, ka qenë pjesë e Kuvendit Komunal si këshilltar, ku ka kontribuar në shumë vendime të rëndësishme për të ardhmen e qytetit.
Në dy vitet e fundit, Rashiti ka mbajtur pozitën e drejtorit të Financave në komunë, një detyrë që e ka kryer me vlerësime për qasjen transparente dhe menaxhimin efikas të buxhetit komunal.
PDK në Gjilan beson se kandidatura e tij përfaqëson një kombinim të përvojës, profesionalizmit dhe njohjes së thellë të nevojave të qytetarëve. Me këtë kandidim, partia synon të sjellë një frymë të re në drejtimin e komunës, me fokus në zhvillimin ekonomik, forcimin e transparencës dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Ndërkohë, Rashiti ka nisur takimet në terren me qytetarë, përfaqësues të bizneseve dhe strukturat e partisë, për të ndarë vizionin e tij për një Gjilan më të zhvilluar dhe më pranë qytetarit./Radio Star/