I dërguari amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se e ardhmja e Serbisë është pranë Shteteve të Bashkuara, dhe jo pranë Kinës dhe Rusisë, raporton Zëri i Amerikës.
Ai beson se mes SHBA-së dhe Serbisë ekziston një miqësi e sinqertë, pavarësisht se kush është në pushtet.
“Unë flas rregullisht me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe i them se duhet të shkëputet nga Rusia dhe Kina dhe të afrohet me Perëndimin dhe SHBA-në. Si një amerikan, shpesh jap këshilla të tilla dhe nuk hezitoj të promovoj vlerat e Perëndimit”, tha Grenell.
Grenell ishte ndër të ftuarit në pritjen “Serbia përtej së ardhmes”, të cilën Misioni i Përhershëm i Serbisë në OKB e organizoi në Nju Jork.
Ish-zyrtari i administratës Trumpit ka mbetur i afërt me përfaqësuesit e pushtetit në Serbi edhe pas largimit nga detyra.
Presidenti i Serbisë i dorëzoi atij një dekoratë shtetërore në tetor të vitit 2023 dhe me atë rast vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës “jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Serbisë”.
Në pyetjen e gazetarëve për gjendjen e tanishme në Kosovë, ish-zyrtari, i cili është ende aktiv në fushatën e Donald Trump, kritikoi administratën e presidentit të tanishëm amerikan Joe Biden.