Të mërkurën kanë rifilluar gërmimet në disa lokacione të Serbisë, të dyshuara për varreza të mundshme masive, raporton teve1.info
Njoftimin për rifillimin e kërkimit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, e ka bërë përmes Facebook-ut vet Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
“Pas 2 vitesh kërkesash e takimesh në mes të nëngrupeve punuese të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, gërmimet e nisura në Maj të vitit 2021, me datë 08.11.2023, përkundër disa paqartësive që ekzistojnë, kanë rifilluar në lokacionin e quajtur Shtavalj, Sienicë, në territorin e Serbisë. Të pranishëm në këto gërmime, janë ekipet tona nga KQPZH dhe IML”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, me qëllim të ruajtjes së procesit, për detajet tjera Komisioni do të njoftoj në momentin e parë që mund të ketë gjetje në atë lokacion.
“Lokacioni Shtavalj, është vetëm njëri nga lokacionet e shumta që Kosova prezantuar si varreza të mundshme masive në Serbi, dhe që në vazhdimësi ka bërë kërkesë për të marrë informacione kredibile dhe për të vazhduar me gërmimet”, thuhet në njoftim.