Kompania farmaceutike Riga Pharm ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të znj. Dejona Mihaili, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të pasakta lidhur me pronësinë e saj.
Në një reagim zyrtar, Riga Pharm shpreh shqetësimin e saj për dëmin që këto pretendime të rreme mund të shkaktojnë, jo vetëm për reputacionin e kompanisë, por edhe për klimën e biznesit në Kosovë.
Kompania thekson përkushtimin e saj ndaj integritetit dhe transparencës, duke bërë thirrje për përgjegjësi dhe maturi në deklaratat publike.
Komunikata për media:
REAGIM
Të nderuar qytetarë dhe autoritete përkatëse,
Me keqardhje kemi vënë re deklaratat e fundit të znj. Dejona Mihaili, të cilat përmbajnë pretendime të pabazuara dhe të pasakta lidhur me pronësinë e kompanisë sonë, Riga Pharm.
Këto shpifje jo vetëm që dëmtojnë reputacionin tonë si një kompani farmaceutike e përkushtuar, por edhe minojnë besimin në sektorin privat dhe klimën e biznesit në Kosovë.
Është thelbësore për ne që opinioni publik të jetë i informuar saktësisht.
Riga Pharm është një kompani e pavarur, e cila operon me integritet dhe transparencë të plotë.
Përhapja e informacioneve të pasakta dhe akuzave të pabazuara krijon pasiguri dhe mund të ndikojë negativisht në stabilitetin e vendeve të punës për punonjësit tanë të devotshëm.
Ne i bëjmë thirrje të gjithë akterëve publikë që të tregojnë përgjegjësi dhe maturi në deklaratat e tyre, duke mos përfshirë emrin e kompanisë sonë për qëllime elektorale.
Linçimi publik i bizneseve vendore dëmton frymën pozitive të investimeve në Republikën e Kosovës.
Riga Pharm do të vazhdojë të kontribuojë në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, duke u bazuar në vlerat e saj të integritetit dhe profesionalizmit.
Ne do shqyrtojmë të gjitha opsionet ligjore për të mbrojtur emrin dhe reputacionin tonë, të krijuar me ndershmëri dhe djersë për më shumë se 11 vite.
Riga Pharm💚