Në ditën që Departamenti Amerikan i Shtetit kritikoi ashpër Qeverinë e Kosovës, Shtëpia e Bardhë hapi dyert për kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza. Takimi i këtij të fundit me zyrtarët e lartë amerikanë është parë si mesazh i qartë i ShBA-së për Kosovën.
Vizita e Hamzës në ShBA, e cila po ndodh në kohen e izolimit të Qeverisë Kurti nga aleatët, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.
Njohës të rrethanave politike dhe politikanë të ndryshëm kanë thënë se një vizitë e tillë është e mirëseardhur për Kosovën.
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se zyrtari i PDK-së i rihapi dyert e Shtëpisë së Bardhë për Kosovën.
“Kryeministri i strukur n’shpi, Ministrja e jashtme po ashtu- Bedri Hamza keto dite rihapi dyerte e Shtepise se Bardhe per Kosoven – po skishte si te jete ndryshe Kur per Kurtin ishte shtepi e ngjyrave tjera, ai kurr nuk e ka pare rendesine Amerikes per Kosoven dhe shqiptaret – ende sdihet cili shtet eshte i rendesishem ne koken e Kurtit antiamerikan…”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Vizita është komentuar edhe nga analisti Afrim Kasolli.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo vizitë është një mesazh i qartë i Uashingtonit se ShBA-ja nuk është kundër Kosovës.
“Pritja qe Shtetet e Bashkuara të Amerikes i kane bere kandidatit për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosoves, Bedri Hamza është mesazh i qarte qe e dergon Uashingtoni, se Shtepia e Bardhe, nuk eshte kunder Kosoves dhe qytetareve te saj, perkunder tensioneve dhe partneritetit te lenduar me Qeverinë aktuale. Madje këtë qëndrim zyrtaret amerikane e kane potencuar ne vazhdimësi se “jane me popullin e Kosovës dhe do te jene me te, pavarësisht mosmarrëveshje qe kane me pushtetin aktual”.”, ka shkruar Kasolli, duke rikujtuar se kryeministri Kurti nuk po realizon vizita të rëndësishme.
“Takime te ketij niveli jane jetike per Kosoven, sidomos kur marrim parasysh faktin, se vizita kryesore shteterore e kryeministrit Kurti, mbetet ajo ne Maqedoni te Veriut dhe takimi me liderin populist VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, me qellim qerimin e hasepave te brendshme politike me presidenten Vjosa Osmani. Ndërkohë, po ashtu keto takime të nivelit të lartë të Bedri Hamzes me zyrtarët amerikanë po ndodhin në një kohë kur Qeveria e Kosovës është kritikuar për shumë aksione të pakordinuara me partnerin kryesor te shtet ndërtimit të Kosovës”, ka shkruar ai.
Takimi i Hamzës me Asistentin Special të Presidentit Biden, Ambasadorin Michael Carpenter, është mirëpritur edhe nga PDK-ja.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka vlerësuar se ky takim tregon se ura që e lidhë Kosovën me SHBA-në është e fortë dhe e përjetshme.
“Ura që lidhë Kosovën me SHBA-në është e fortë dhe e përjetshme! “SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”! Kryeministri Bedri Hamza”, ka shkruar Deliu-Kodra.
Mesazhet që mori Hamza
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, sot ka njoftuar për takimin e nivelit të lartë që ka pasur në Shtëpinë e Bardhë.
Ai ka treguar se në takim me Asistentin Special të Presidentit Biden, Ambasadorin Michael Carpenter, ka marrë mesazhe të qarta se ShBA-ja mbështet fuqishëm Kosovën.
“Vizitën time në SHBA e fillova me një takim me Asistentin Special të Presidentit Biden, Ambasadorin Michael Carpenter, që njëherësh është Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK), si dhe me Drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), znj. Kathleen Larkin. Mesazhi që mora ishte i qartë: SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka shkruar Hamza.
Më tej, ai ka treguar për dakordimet që janë bërë në këtë takim.
“Ne u pajtuam që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në Partneritet për Paqe dhe përfundimisht në NATO e BE. Këto janë qëllimet strategjike për të cilat folëm gjerësisht. Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Për realizimin e të gjitha këtyre qëllimeve, partneriteti me SHBA është i rëndësisë jetike dhe për Kosovën e mua edhe i pazëvendësueshëm”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në “Facebook”.
Kjo vizitë është realizuar në kohën kur ShBA-ja po shpreh shqetësime të theksuar me veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në veri.
Madje, një kritikë ndaj Qeverisë së Kosova ka ardhur në ditën që Hamza ka realizuar takimin në Shtëpinë e Bardhë.
Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, ka përsëritur shqetësimet për masat e fundit të qeverisë së Kosovës në veri.
“Nuk do të spekuloj për veprime në të ardhmen. Ajo që do të them është se jemi të shqetësuar nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë që ne kemi ndihmuar për t’u krijuar. Nëse shikoni historinë që nga pavarësia e Kosovës, ShBA-ja e ka mbështetur fuqishëm integrimin e plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci shumë-etnike. Por për të realizuar këtë vizion, ne kemi bashkëpunuar me liderët e njëpasnjëshëm politikë të Kosovës për masat që rrisin paqen dhe prosperitetin. Ajo që ne inkurajojmë Kosovën të bëjë është t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe udhëzues me SHBA-në me BE-në me NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Miller, në një konferencë për media.