Pak ‘dritë’ në fund të tunelit për Gjilanin që nuk po kalon në ditët më të mira. Gjendja e rënduar në pozitën tabelare ka shtyrë gjilanasit që ti japin tjetër ‘marsh’ punës së tyre për të shpëtuar sezonin.
Rikthimi në seancat stërvitore të dy futbollistëve nga Bregu i Fildishtë, Keita Aziz dhe Keita Razak kanë rikthyer entuziasmin te ‘kuqebardhët’ që tani marrin më shumë vetëbesim për ndeshjet e rradhës.
Në gjendje optimale tashmë është edhe kapiteni Ylber Kastrati, i cili ka lënë prapa lëndimin dhe pritet të startojë në duelet e fundit.
Gjilani të enjten luan me Lirinë në shtëpi, por fati i tyre do të varet nga ndeshjet e ditës së shtunë, nëse do të kenë nevojë të luajnë apo jo në barazh, pasi që matematika mund ti mbajë ende larg saj.
Kur kanë mbetur edhe dy javë deri në mbylljen e kampionatit gjilanasit shpresojnë në mrekulli, derisa duhet që ti fitojnë dy ndeshjet e fundit (Liria & Ferizaj) dhe të shpresojnë në gabimet e kundërshtarëve të tyre.