Ndër vite shqiptarët rrugë të vetme për të siguruar bukën e gojës kishin ikjen në gurbet. Familje të tëra ndaheshin për periudha të gjata kohorë, e situatë e njëjtë vazhdon edhe sot. Këtë problem e kishte trajtuar 30 vite më parë edhe Rilindja. Me titullin “Babasë dajë i thoshte”, gazeta e kohës shkruante reportazh për familjen Halimi që vinte nga një fshat i Gjilanit. Më se gjysma e grave të Pogragjës vite të tëra jetojnë vetëm me fëmijet e burrat i shohin vetëm prej viti në vit, kur këta ia mësyjnë shtëpisë me të gjitha “të mirat”. Vitet, vetmia, jeta në kurbet lanë gjurmë. Disa prej tyre, si thonë në fshat, kanë krijuar edhe familje të dytë. Nënave pogragjase, penelopave bashkëkohore u ngelin fëmijët, toka djerr dhe tempulli i quajtur shtëpi. Remzije Halimi ishte vetëm njëra nga 113 gratë e fshatit Pogragjë që jetonte tash e 14 vjet vetëm me fëmijët, e të shoqin Shefikun e shihte vetëm njëherë në vit. Dikur bujk, me vetëm disa arti tokë jopjellore, ai i la fëmijët të vegjël, shtëpinë me qylyma, fshatin me shkollë pa rrymë, pa ambulancë.
Vjen Shefiku çdo vit ashtu shpejt e shpejt, sjell të holla e të mira të tjera prej Austrisë e Gjermanisë dhe pa u çmall mirë, ik prap vrap atje në kurbet, në rrugët e metropoleve evropiane, në organizatat komunale të këtyre qyteteve, ku punon ditë e natë në borë e në shi, vetëm e vetëm që të fitojë pak, që jetën fëmijëve t’ua bëjë më të mirë se që e kishte vetë.
E kështu larg familjes, Halimit nga Gjilani i iku varrimi i nënës, e babanë e zuri buzë varrit. Më e rëndë situata ishte për shtyllën e shtëpisë Remzijen. Ajo lutej që burri të i kthehej në shtëpi, sepse tashmë i gëzonte të gjitha të mirat. Vetëm një herë kishte shkuar ajo në Gjermani, por, malli për Kosovën e dashuria për fëmijët për të kishte qenë më e madhe se ajo për burrin. Familja nga Pogragja ishte vetëm modeli i një familjë shqiptare që për vite jetoi me mallin e gurbetit