Kryetari i Nismës Socialdemokratike, Fatmir Limaj insiston që partia e tij është e gatshme të ketë partneritet në Kuvend e jo në qeveri për të dal nga ngërçi politik që është në Kosovë.
Kreu Nismës Socialdemokratike në një intervistë për A2 CNN ka thënë se subjekti politik që ai drejton do të jetë pjesë e zgjidhjes e jo e prishjes.
“Jemi gati t’i japim tre votat tona për në Kuvend dhe jo t’i kërkojmë vend në qeveri Kurtit…Ne nuk jemi të interesuar që të jemi pjesë e qeverisë. Nuk jemi të interesuar ta zëmë një pozicion duke shfrytëzuar momentin që kemi. Nuk duam të jemi pjesë e qeverisë. Krejt çka ne duam aktualisht dhe jemi të gatshëm me ndihmu, është partneriteti në Kuvend dhe ta mbështesim shumicën për t’i ndërtuar institucionet dhe për të dalë Kosova nga kriza”, ka theksuar Limaj.
Sipas Limajt, zgjidhja është te vullneti politik, dhe aspak te Kushtetuta, te Gjykata, e aq më pak, te presidentja. Ai ka thënë se partitë politike nuk mund të bëhen lojra demokratike se pse Kosova ende është një demokraci e pa rrumbulluar.
“Ndërkohë që ne merremi me këto llogari, gjeopolitika ndryshon dhe mund të humbasim shumë çështje, në dëm të Kosovës”, ka theksuar ai.
Ai është shprehur i bindur se së shpejti do të arrihet marrëveshje politike dhe se Kosova do t’i formojë institucionet.
“Partia e parë duhet të vrapojë të bëjë shumicën parlamentare dhe partia e dytë, e tretë dhe radhazi duhet të largohen nga egot individuale dhe të ofrojnë bashkëpunimin për të dalë nga kriza…Në fund të ditës besoj se po, do të vijmë në një marrëveshje politike. Une besoj që marrëveshja politike do të arrihet, jam i bindur. Besoj që shpejt Kosova do t’i ketë institucionet sepse rrugë tjetër nuk ka”, ka thënë Limaj.
Kurse, zgjedhjet e jashtëzakonshme, Limaj nuk i sheh si alternativë.