Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka raportuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen “Trepça”.
Ministrja Rizvanolli tha se kanë arritur marrëveshje me dy nëntor me minatorët duke iu përgjigjur kërkesave të tyre, sipas saj, greva e mbajtur nga minatorët nuk ka qenë e organizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në disa aspekte.
Ministrja Rizvanolli ka thënë se për herë të parë pas 24 vitesh ka pasur edhe raportim të rregullt dhe prezencë të drejtorit të njësisë në veri në mbledhje të Bordit. Ajo tha se Qeveria Kurti i ka ndarë 27 milionë euro për “Trepçën”.
“Përgjatë kësaj periudhe ndërmarrja Trepça ka pasur sfida të ndryshme, përveç sfidave të vjetërsisë së pajisjeve dhe sfida tjera në lidhje me burime njerëzore që janë tash e një kohë. Situata ka qenë më e rënduar për shkak edhe të vazhdimit të ndikimit të krizës energjetike, çmimeve shumë më të larta të energjisë elektrike në krahasim me nivelet e para krizës, mirëpo edhe të rënies së çmimeve të metaleve në bursë gjatë këtij viti. Si rezultat ndërmarrja ka qenë në situatë të tillë që ka pasur vonesë të pagesës së plotë të pagës në kohën kur ka filluar greva, përkatësisht gjithë punëtorët e ndërmarrjes kanë pasur të ekzekutuar 55 për qind e pagës ndërsa 45 për qind të tjera kanë qenë në pritje të subvencionit të qeverisë, subvencion ky që është një ditë para se të fillojë greva. Një pjesë e punëtorëve kanë hyrë në grevë me kërkesat, ekzekutimi i pagave për muaj të behet nga data 1 deri më 10 të muajit pasuese, shkarkimi i ushtruesit të detyrës të kryeshefit aktual dhe mos emërimi i ndonjë kryeshefi të harxhuar, menaxhmenti i ardhshëm të mundësoj sigurim shëndetësore, mjete dhe kushte të mira të punës. Sa i përket çështjes së pagave, pra një ditë pas fillimit të grevës kjo çështje është adresuar pas ekzekutimit të pagave nga ndërmarrja Trepça dhe bordi ka dhënë shpjegime dhe ka dhënë gatishmërinë e plotë që të diskutojë dy kërkesat tjera që kanë të bëjnë me sigurimin shëndetësor, mjetet dhe kushtet më të mira të punës”.
“Ndërsa sa i përket kërkesës, shkarkimi i ushtruesit të detyrës të kryeshefit aktual, bordi ka informuar punonjësit se vlerësimi dhe emërimi i kryeshefit është kompetencë komplet eksluzive e bordit dhe u ka garantuar se vlerësimi i performancës së të gjithë zyrtareve të lartë të ndërmarrjes përfshirë edhe i kryeshefit do të vazhdojë dhe hapat që do të ndërmarrën do jenë në përputhje me të gjeturat, performancën, faktet, argumentet dhe legjislacionit në fuqi. Pas kësaj greva ka vazhduar megjithëse greva nuk ka qenë e organizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në disa aspekte kyç, duke përfshirë këtu se nuk ka pasur informata në lidhje me organizatorët e grevës, me numrin e saktë të grevistëve dhe gjendjen shëndetësore të secilit prej tyre, kohën e hyrjes dhe daljes së grevistëve dhe personave të tjerë në miniere”.
“Andaj edhe për bordin ka qenë situatë e vështirë duke qenë se nuk ka pasur një Këshill Grevist siç parashihej me ligj i cili do të ishte i autorizuar për të përfaqësuar këndvështrimet dhe qëndrimet e punëtorëve. Pas një periudhe gjatë secilës ka pasur diskutime të vazhdueshme në mes të bordit dhe përfaqësueseve të punëtorëve, me datë dy nëntor të këtij viti, bordi mbikëqyrës i përkohshëm ka arritur marrëveshje me minatorët protestues për çështje që po adresohen”, tha ajo.
Kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala ka pyetur ministren Rizvanolli për humbjet që ka pasur ndërmarrja “Trepça”, gjatë atyre ditëve sa ka vazhduar greva dhe se cilat njësi janë duke punuar pas grevës.
Ministrja Rizvanolli duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve tha se për herë të parë pas 24 viteve drejtori i njësisë së “Trepçës”, në veri ka raportuar në mënyrë të rregullt në mbledhjet e Bordit.
Ajo po ashtu ka shtuar se Zyra Kombëtare e Auditimit është duke audituar edhe njësinë në pjesën veriore.
“Sa i përket njësive, të tirja janë në funksion dhe gjithashtu për herë të parë pas 24 vitesh kemi pasur edhe raportim të rregullt, dhe prezencë të drejtorit të njësisë në veri në mbledhje të bordit, dhe gjithashtu për herë të parë Zyra Kombëtare e Auditimit është duke audituar edhe njësinë veriore të Trepçës që është një hap i madh në shtrirje të kontrollit edhe në atë pjesë, edhe financiar dhe operativ”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku, ka pyetur ministren e Ekonomisë se cila është arsyeja e shkarkimit të Bordit të Trepçës dhe emërimi i Bordit të ri.
Ministrja tha se si Qeveri asnjëherë nuk kanë bërë emërime në bazë të favoreve.
“Ne si Qeveri në asnjë emërim nuk e bëjmë as në bazë të njoftësive dhe as në bazë të favoreve. Nuk i bëjmë faros askujt kur t’i emërojmë i vlerësojmë në bazë të perfomacës së tyre”, tha ajo.
Deputeti Pal Lekaj, ka pasur kritika ndaj ministres Rizvanolli, sipas tij, ajo i ka injoruar kërkesat e minatorëve dhe se ata janë rrezikuar nga kjo neglizhencë.
“Në asnjë mënyrë nuk e kuptoj se si i keni injoruar minatorët, për mos komunikim, mos vizitë të ta i keni rrezikuar gjithë ata minatorë dhe i keni shqetësuar familjet e tyre. Si ndihesh si ministre që me leje e juaj i keni ngujuar minatorë për mos komunikim, mos vendim. Me qenë në pozitën tanë unë kish qajtë nuk kisha qeshur”, tha ai.
Rizvanolli duke iu përgjigjur Lekajt ka thënë se është e turpshme krahasimi i grevës se minatorëve të viteve të 90-ta, me atë të ditëve të fundit, kjo pasi sipas saj, Kosova tani më është shteti më demokratik ne rajon dhe se greva e fundit e minatorëve nuk ka qenë grevë urie./eo