Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se sot kanë mbajtur takimin e parë të punëtorisë për dizajnimin e programit kompakt së bashku me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).
Ajo tregon se, në këtë punëtori kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.Ministrja thotë se prioritet për Qeverinë e Kosovës është investimi në projekte për stabilizim të sistemit të energjisë, siç është projekti për akumulim të energjisë.
“Kjo punëtori ka për qëllim dizajnimin e detajuar të programit të kompaktit të MCC-së nga i cili Kosova përfiton deri në 200 milionë dollarë për zhvillim të sektorit të energjisë, veçanërisht akumulimit të energjisë dhe trajnimit të fuqisë punëtore me theks të veçantë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në këtë sektor.Prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës është investimi në projekte për stabilizim të sistemit të energjisë, siç është projekti për akumulim të energjisë.Qëllim i Qeverisë, përmes këtij projekti dhe punës së vazhdueshme në sektor, është të garantojmë që sistemi i energjisë është i qëndrueshëm, mundëson përfshirjen e burimeve të ripërtërishme të energjisë, si dhe rritjen e dukshme të pjesëmarrjes së grave në këtë sektor”, njofton ministrja.