Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog kanë shprehur keqardhje pas miratimit të Ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke thënë se Kuvendi i Kosovës me këtë ka injoruar rekomandimet paraprake të BE-së.
“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes së BE-së dhe nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet BE. BE, KiE dhe OSBE kanë dhënë opinionet e tyre për ligjet, por janë injoruar…”, ka shkruar Rohde në një status në X.
Ndërsa, ambasadori i BE-së ka thënë se Kuvendi i Kosovës sot humbi mundësinë për të pasur dy ligje të mira, Ligjin e ndryshuar për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke dështuar në inkorporimin e plotë të rekomandimeve të BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
“Në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t’i trajtojë këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet e BE-së dhe evropiane”, ka shkruar Szunyog në rrjetin X.
Edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar lidhur me miratimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Ndërsa, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Në reagimin e AGK-së thuhet se Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Kurti, e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal, dhe pa prezencën e opozitës në sallë.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten Projektligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave. Pro këtij Projektligji votuan 59 deputet kurse 2 të tjerë abstenuan.
Deputetët që abstenuan ishin Dimal Basha dhe Eman Rrahmani.