Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka lavdëruar gatishmërinë e Kosovës për ta ndihmuar me pajisje ushtarake Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
“Edhe pse Ukraina ende nuk e njeh Kosovën, qeveria kosovare po e ndihmon Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus duke i mbështetur me pajisje ushtarake. Shumë e lavdërueshme”, ka shkruar ai në ‘X’.
Ndryshe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot ka marrë pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Maqedonci ka thënë se Kosova do të vazhdojë të përkrah Ukrainën në luftën heroike kundër Rusisë dhe ka bërë të ditur se Kosova do të realizojë edhe pakon e dytë të ndihmesës për Ukrainën, që ka të bëjë me predha mortajash.
Ai ka theksuar se pako e parë me kamionë dhe mjete taktike dhe të blinduara do të dorëzohet javën e ardhshme.
“Kosova do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftën e saj heroike kundër agresionit rus. Sot në mbledhjen e GKMU-së, unë njoftova paketën tonë të dytë të ndihmës ushtarake për Ukrainën, e përbërë nga predha mortajash. Pakoja e parë me kamionë, mjete taktike dhe të blinduara do të dorëzohet javën e ardhshme”, ka shkruar Maqedonci.