Ish-ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se nuk është e vërtetë deklarata e Listës Serbe se integrimi i institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë në sistem të Kosovës nuk ka qenë kurrë pjesë e ndonjë negociate apo marrëveshjeje.
Ai tha se integrimi parashihej me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe me marrëveshjen e Ohrit.
“Dua të theksoj se kjo thjeshtë s’është e vërtetë. Marrëveshja e nënshkruar më 19 prill 2013, përfshinte gjashtë pika që lidheshin me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa marrëveshja e fundit e Ohrit mbi udhërrëfyesin e implementimit të marrëveshjes së nënshkruar më 2013, përcakton qartë integrimin e institucioneve të lartpërmendura në sistemin institucional të Kosovës, nën patronazhin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka shkruar Rohde në Bluesky.
Madje, ai ka thënë se këto deklarata rrisin tensionet në periudhën pak para zgjedhjeve lokale.
“Prandaj do të bëja ftesë që të gjithë të përmbahen nga deklaratat e tilla arbitrare për të cilat mund të thuhet edhe qëllimkëqija, e që mund të dëmtojnë proceset demokratike siç janë zgjedhjet e ardhshme”, ka përfunduar ai.