Të rinjtë gjilanas që janë pjesë e Rotaract Club “Anamorava”, po vazhdojnë me aktivitete të ndryshme në të mirë të komunitetit dhe në këtë fundvit kanë organizuar aktivitetin e shpërndarjes së dhuratave për festat e fundvitit, përkatësisht Vitin e Ri, kësaj here për fëmijët e komunitetit rom.
E veçanta e këtij aktiviteti është se rotaraktorët, në rolin e Babadimrit, fillimisht i kanë grumbulluar dhuratat standarde për fundvit, me vet kontributin e tyre si dhe janë ndihmuar edhe nga miqtë, i kanë pasuruar edhe me gjësende shkollore dhe rroba, për t’i paketuar dhe bërë gati për shpërndarje.
Ndihmuar nga aktivisti i palodhshëm i komunitetit rom, njëherësh zyrtar komunal, Elez Kurteshi, sot janë shpërndarë 32 dhurata të tilla, për fëmijët rom, të cilët janë vizituar në shtëpitë e tyre, në rrugën “Avdullah Presheva”, ku u janë shpërndarë dhuratat, duke u sjellë kështu sadopak gëzim në këtë fundvit. Pastaj një pjesë e dhuratave janë dorëzuar për fëmijët në Repartin e Pediatrisë në Spitalin e Gjilanit e disa dhurata iu janë dhuruar edhe fëmijëve të takuar rastësisht në rrugë, si surprizë e fundvitit.
Përndryshe, Rotaract Club “Anamorava”, ka premtuar aktivitete të shumta në të mirë të komunitetit edhe përgjatë vitit 2019.