Procesi zgjedhor në Partinë Demokratike të Kosovës po përcillet me përplasje mes pretendentëve të degëve të ndryshme. T7 ditë më parë raportoi për një rrahje në degën e Podujevës, e së fundmi u raportua se një përkrahës i Qemal Mustafës në Gjilan është rrahur me një kundërshtues të tij. Vetë Mustafa i ka thënë Expressit se ka pasur vetëm fjalosje e jo rrahje.
Mediat lokale të Gjilanit kanë raportuar se asamblisti i Kuvendit Komunal, Hevzi Xhelili, dhe anëtari i kryesisë, Riad Rashiti, janë përleshur fizikisht përballë selisë së PDK-së në Gjilan. Arsyeja e përleshjes, sipas raportimeve, ka qenë gara mes Qemal Mustafës dhe Flurim Arifit, si pretendentë për kreun e kësaj dege të PDK-së.
Ish-kryetari i Gjilanit ka thënë për Gazetën Express se ka pasur fjalosje mes aktivistëve të PDK-së në këtë komunë dy net më parë, por jo edhe rrahje mes tyre.
“Nuk ka ndodhë mbrëmë, por parmbrëmë. Bëhet fjalë për një fjalosje mes dy aktivistëve dhe assesi për përplasje fizike”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, Flurim Arifi, pretendent dhe kundërkandidat i Mustafës për kreun e degës së PDK-së në Gjilan, i ka thënë Gazetës Express se ai nuk ka qenë në atë takim dhe nuk e di çfarë ka ndodhur.
“Është mirë me u pyetë të dy të përmendurit. Nuk kam qenë prezent dhe nuk jam i informuar që ka pasur përplasje fizike”, është shprehur Arifi.
Ndërkaq, Ismet Hashani nga zyra për informim në policinë rajonale të Gjilanit, ka thënë se nuk është raportuar në Polici një incident i tillë.
“Ende nuk është në Polici, për momentin ende nuk ka asnjë ankesë lidhur me këtë në polici”, tha Hashani për Express.
Partia e udhëhequr nga Kadri Veseli, ka nisur procesin zgjedhor brendapartiak, ndërsa kjo nuk po shkon pa përplasje.
Televizioni 7 ditë më parë ka raportuar se anëtarë të PDK-së në degën e Podujevës janë rrahur mes vete.
Burime të T7 brenda Partisë Demokratike të Kosovës kanë treguar se aty ka ndodhur një incident që ka shkuar deri në përleshje fizike. Ngjarja ka ndodhur në Shkollën e fshatit Dobratin, më 9 shkurt.
Ndërkohë, deri tek incidenti ka ardhur pasi që në garë për kryetar të nëndegës së këtij fshati kanë qenë dy kandidatë dhe përkrahësit e Naim Fetahut nuk kanë dashur që ky të ketë konkurrent.
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka shkarkuar më pas këshilltarin e tij, Naim Fetahun, pasi besohet se njerëz të afërt të tij kanë nxitur konfliktin.
Këtë e ka demantuar PDK-ja, mirëpo nuk kanë treguar arsyet e shkarkimit të Fetahut. /Express/