Rrahman Haradini i ka përvetësuar shumicën e aksioneve në FC Prishtina, ndërkaq ish presidenti Remzi Ejupi është larguar nga klubi.
Aksionarët e KF Prishtinës janë mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme në të cilën është definuar e ardhmja e drejtimit të klubit më të trofeshëm të Kosovës.
Aksionari kryesor i Prishtinës do të jetë Rrahman Haradini, i cili ka marrë përsipër shumicën e aksioneve në klub.
Deri më sot, Haradini posedonte 34 për qind të aksioneve të klubit, bazuar në regjistrin e të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).
Aksionari i dytë më i madh në klub ishte Remzi Ejupi, ish-president i klubit, i cili posedonte rreth 16 për qind të aksioneve.
Prishtina ndodhet në krizë menaxhuese prej vitesh për shkak të paqartësive mes aksionarëve. Këtë vit, aksionarët e klubit janë ballafaquar me protestë nga tifozët për dorëheqje.
Vitin e kaluar, në një përpjekje për të reformuar klubin, FC Prishtina mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme të kuvendit në të cilën caktoi afaristin nga Prishtina, Hakif Gashi, si drejtor të klubit.
Por, as bordi dhe drejtori i ri, të caktuar në korrik të vitit të kaluar, nuk arritën t’i zgjidhnin problemet me të cilat Prishtina ballafaqohet tash e disa vite: probleme financiare dhe teknike.