Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, e vlerëson të gabuar qasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti karshi sindikatave në Kosovë.
Ai thotë se Kurti nuk duhet të ndërhyjë në sindikata, derisa potencon se i njëjti ka shumë punë për të bërë në qeveri për të përmirësuar kushtet e punës për mësimdhënësit.
Mirëpo, Jasharaj shprehet se nëse kryeministrit i duket atraktive sindikata ka të drejtë të anëtarësohet në SBASHK, e më pas thotë se e fiton të drejtën të jetë edhe kandidat për kryetar në zgjedhjet që pritet të mbahen në muajin prill.
“Nëse aq shumë i duket atraktive sindikata ka të drejtë të anëtarësohet në SBASHK, pastaj e fiton të drejtën të kandidohet, do të jetë kundërkandidat i imi, nëse anëtarësia e voton unë ia bëj ‘për hajër’ e atëherë le ta udhëheq edhe qeverinë edhe sindikatën. Do të jetë rasti unik që një kryeministër po i udhëheqë edhe sindikatat. Në të kundërtën, le ta udhëheqë qeverinë, ne nuk i përzihemi dhe asnjëherë nuk kemi tendenca për të krijuar probleme të mëdha”, tha Jasharaj për KosovaPress.
Kreu i SBASHK-ut thotë se asnjëherë nuk do të jap dorëheqje nga posti që e mbanë për shkak të kritikave që i merr nga ana e qeverisë.