Shteti rus ka kërkuar që tre zyrtarë të njësive elitare të Policisë së Kosovës të futen në sistemin e kërkimit të Interpolit. Lidhur me këtë, ish-polici dhe avokati, Visar Rrecaj, ka thënë se INTERPOL-i ende nuk e ka miratuar këtë kërkesë.
Rrecaj konsideron se veprimi rus nuk ka të bëjë fare me çështje juridike, por, sipas tij, e njëjta është veprim puro politik.
“Në aspektin juridik nuk ka lidhje logjike ky veprim që ka ndodhur prej shtetit rus. Ende INTERPOL-i nuk e ka aprovuar kërkesën për t’i futur në letërrreshtim, por a mund të ketë pasoja juridike apo a prodhon efekte, po prodhon efekte juridike, nëse kërkesa ruse aprovohet nga INTERPOL-i, atëherë shtetet anëtare janë të obliguara që ta zbatojnë urdhrin për ndalim. Nëse Besarti ose dy kolegët e tjerë hasin në një shtet lojal ndaj Rusisë, atëherë ekstradimi mund të ndodhë shpejt. Është mirë që këto vende të shmangen. Konsideroj në aspektin juridik, se veprimi rus me këtë kërkesë nuk ka të bëjë asgjë me çështje juridike, veprimi është puro politik”, tha ai./dukagjini