Vetëm kjo fabrikë ka mundur të mbijetojë pas privatizimit në Gjilan. Dikur e njohur si “Jugoterm” e sot si “EnRad”, mbijetoi në mesin e katër fabrikave që kishte qyteti i Gjilanit
Prej vitit 1978, kur edhe është hapur Fabrika e Radiatorëve, deri më tahs ka pasur ndryshime e investime. Pas vitit 2012, kur u privatizua në të u futën tre milionë euro investime. Teknologjia e tanishme, mundëson që brenda ditës të prodhohen rreth 500 radiatorë e 50 kamina.
Të rindërtosh një fabrikë e cila ishte shuar, e që kishte humbur besimin e qytetarëve jo vetëm brenda tregut por edhe jashtë vendit ishte sfidë në vete për pronarët.
Drejtori i “ENRAD”, Tahir Tahiri për Ndërtimi.info ka rrëfyer se si brenda pesë viteve fabrika që u shua u rikthye fuqishëm me prodhim jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit. Tahiri i cili ishte punëtorë në këtë fabrikë edhe në kohën e ish-Jugosllavisë, tregon se fabrika ka qenë thuajse në kolaps.
“Kur ka filluar prodhimi, kanë qenë kapacitete shumë më të vogla sepse ne kemi pas problem me riorganizu, dukeë pas parasysh që kanë munguar edhe mjetet, edhe tregu ka qenë pothuajse i humbur si në tregun e vendit edhe në eksport ka qenë i humbur. Kështu që është dashur të derdhet mjaft mund për me arrit që me i kthy ato tregje ku kemi qenë prezent, dhe normalisht me depërtu në tregje të reja si në Greqi, Moldavi, Qipro”, thotë ai.
Janë mbi 200 punëtorë, të cilët derdhin djerë për të prodhuar radiatorë, e që numri pritet të rritet.
“Fabrika tani ka mbi 200 punëtorë dhe është me tendencë të rritjes përherë duke bërë përpjekje në zgjerim të tregut, madje duke zgjeruar edhe gamën e produkteve. Kur e them në zgjerim të tregut bëhet fjalë se nëse krijojmë ende hapësirë për tregje tjera”, theksoi Tahiri.
Procesin e prodhimit të një radiatori e trengon më së miri drjetori i këtij reparti, Skender Sylejmani.
“Fillon nga prerja e llamarinës, varësisht nga madhësia dimesionale të radiatorit. Kalon në procesin e presave, ku bëhet profilizimi i llamarinave. Kalon në procesin e saldimit ku bëhet saldimi ku bëhet saldimi me retrozistencë. Saldimi gypor, gjatësor, tërthor. Pastaj radiatori pritet me dimensione të caktuara, vendoset llaminat me pikëzim. Tani kalon në repartin e batallit ku bëhet formimi i radiatorit ku vendos cepat distancat masha dhe përgatitet për testim. Prej testimit praktikisht është i gatshëm për ngjyrosje dhe aty fillon procesi i ngjyrosjes ku së pari bëhet pastrimi i radiatorëve, mandej bëhet ngjyrosja me zhytje me ngjyrën themelore, e prej aty kalon në furrën ku bëhet pjekja e ngjyrës pastaj vazhdon në shiriti transportues deri të ngjyrosja elektrostatikë ku bëhet ngjyrosja me pluhur në mënyrë robotike”, tregon Sylejmani.
E pas gjithë këtyre fazave, krejt në fund radiatori hyn në furrë ku ngjyra e tij piqet në temperaturë prej 180-200 gradë celsius.
Por me kalimin e kohës, kjo fabrikë ka zgjeruar gamën e produkteve. Aty tashmë bëhet edhe prodhimi i kaminëve, që brenda një ditë arrin numrin 20 sosh.
Drejtori në Repartin e Kaldajave, Behar Azemi, ka treguar për Ndërtimi.info se prodhimi shkon në bazë të kërkesave të tregut, e më së shumti kërkohet kamini me pelet.
“Tash për momentin kemi kamina që prodhojmë. Prodhojmë kryesisht në bazë të kërkesave të tregut. Tregu kryesisht tregu për momentin është i fokusuar në kamina në peletë. Kaminat janë prej 11 kilovatë më e vogla deri në 46 kilovatë (KV). Kryesisht vazhdojmë prerjen e llamarinave e cila prehet me makinerinë e cila vjen prej Italisë. Është prodhim italian, është makineri sencil që bënë prerjen e llamarinave. Pastaj vjen lakimi, bëhet lakimi i llamarinës. Janë saldime, saldimi bëhet me robot automatik i cili saldon. Pas saldimit vjen testimi, testimi bëhet deri në 5 vatë, pas testimit bëhet ngjyrosja…pas ngjyrosjes vazhdon montimi me mbështjellës, pjesa përfundimtare dhe del në treg”, ka treguar Azemi.
Me radiatorët dhe kaminët e kësaj fabrike ngrohen jo vetëm shqiptarët. Gjashtëdhjetë për qind të pordhimit e eksporton në Greqi, Qipro, Moldavi dhe vende tjera të Ballkanit, duke rikthyer një treg që ka qenë në vitet e ’80-ta.