Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) tregon se çmimet në muajin prillin nuk kanë ndryshuar aspak për dallim nga muaji mars. Sipas këtij indeksi çmimet e muajit prill me ato të muajit mars janë të njëjta.
Megjithatë në prill pak më i shtrenjtë ishte çmimi i rrymës dhe i pemëve.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është i pandryshuar 0.0% në muajin prill 2018, krahasuar me muajin mars 2018. Ngritje e lehtë e çmimeve vërehet te nëngrupet: pemë (1.1%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.4%); energji elektrike (2.5%); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (0.5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.1%”, thuhet në raportin e ASK-së.
Sipas Agjencisë së Statistikave ngritja u neutralizua kryesisht tek nëngrupet: perime -1.7 për qind; dru zjarri për ngrohje -5.3 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.1 për qind në IHÇK.
Por për dallim nga muaji prill i vitit të kaluar, në muajin prill të këtij viti, sipas ASK-së shkalla e inflacionit është rritur për 0.4 për qind.
Sipas ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të nëngrupet: bukë dhe drithëra 1.9 për qind; mish 0.5 për qind; qumësht, djathë dhe vezë 1.5 për qind; kafe dhe çaj 3.4 për qind; duhan 3.1 për qind; përdorim i pajisjeve për transportin personal 2.0 për qind; shërbimet për transport 6.5 për qind-(ngritje e çmimit të biletave me aeroplan), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9 për qind./insajder/