Çmimi i energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare është dyfishuar sërish në krahasim me periudhën e para një muaji.
Zëdhënësi i kompanisë për distribuimin e energjisë – KEDS, Viktor Buzhala ka paralajmëruar dimër të vështirë për qytetarët e Kosovës.
Ai ka thënë se aktualisht çmimi i energjisë elektrike në berzat ndërkombëtare sillet rreth 500 euro për megavat.
“Pa dashur t’jua tërheq vëmendjen prej temave jetike me te cilat jeni tu preokupu, desha t’ju tregoj qe cmimet e rrymës janë dyfishu ne berzat ndërkombëtare, kanë mbrri ne gati 500 euro per megavat”, ka thënë ai.
Ai ka paralajmëruar për “ditë jo aq të bardha” në rrafshin energjetik.
“Te njejten kohe, tashme ka devijim nga plani i prodhimit vendor, pra jane rreth 160 megavat ne ore minus. Vetem energjia e munguar nga plani kushton 1.8 milione euro ne dite ne tregjet nderkombetare. Bore mundet me ra, ama dite bash te bardha nuk po na presin”, ka thënë zëdhënësi i kompanisë KEDS.