Rrija e çmimit të vajit që kishte ndodhur në Kosovë, pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës është duke u hetuar nga Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës.
Përveç çmimit të vajit po hetohet edhe shtrenjtimi i sheqerit.
Këtë e ka bërë Selajdin Beqa- ushtrues detyre e Drejtorit të i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai ka thënë se ky institucion nuk kishte mundur të vepronte në atë kohë, pasi nuk e kishin komisionin funksional, por pas funksionalizimit kanë filluar hetimet edhe për periudhën pas 14 qershorit kur është funksionalizuar komisioni.
“Ato raste po trajtohen edhe të vajit por edhe të sheqerit se pse ka ngritje kaq të shpejtë”, ka thënë Beqa.
Ai tha janë rreth 30 raste të cilat janë duke u hetuar.
“Kemi filluar trajtimin e afërsisht 30 rasteve të cilat i kemi evidentuar, nga sektor dhe tregje të ndryshme të Kosovës”, ka thënë Beqa.
Çmimet e vajit në disa markete në fund të muajit mars kishin arritur deri në 3.49 euro për litër.
Beqa ka komentuar edhe Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet esenciale, duke thënë se kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.