Qeveria e Kosovës, Kurti II, si çdo qeveri tjetër në botë, duhet të bazohet në disa faktorë për të rritur pagat dhe për të përcaktuar shumën e rritjes.
Ndër të tjerash, për rritjen e pagave dhe shumën, duhet të bazohet tek:
– Analiza e buxhetit të Kosovës mbi 3 miliardë euro dhe kosto e mundshme përballuese.
– Përcaktimi i normës së inflacionit për të siguruar që rritja e pagave të mbulojë rritjen e kostove të jetesës në
Kosovë.
– Krahasimi i pagave me sektorë të tjerë dhe vendet e ngjashme për të përcaktuar standardet e pagave.
– Kërkesa dhe oferta në tregun e punës duhet të mos anashkalohet, sepse duhet paraprakisht të bëhet vlerësimi i nevojave për punëtorët në sektorin publik dhe ofrimi i pagave konkurruese për të tërhequr e mbajtur talente. P.sh., si mund të shkosh si ekspert në Komunën e Gjilanit, kur paga të ofrohet 600 a 700 euro, kurse në një kompani private për shërbime të njëjta i merr 2000 euro?! Ose një arkitekt i merr me projekte private me studio projektimi mbi 2000 euro, e komuna e angazhon me pagë mujore 600 a 700 euro. Nuk ka logjikë!
– Rritja e pagave duhet të shoqërohet me përmirësimin e aftësive të punëtorëve për të rritur produktivitetin në sektorin publik. Sa ka ndikuar rritja e pagave në performancën e profesorëve universitarë e mjekët në spitale?! A është bërë ndonjë hulumtim?! A ka edhe logjikë ekonomike e motivuese, zbritja e pagës së profesorit universitar nga Kurti (hej, edhe 10 euro ora e asistentit të angazhuar, e me 4 orë në javë, për muaj, vetëm 160 euro), gati paga e profesorit me grada sa e një kuzhinieri edhe pa trajnime javore, apo sa e një menaxheri të marketit?! Pse të kryhen të gjitha ato studime universitare, përjashto edhe prestigjin social si shpërblim indirekt, e të barazohen në paga, individi me grada shkencore me një individ që ka një zanat apo hyn në një punë me apo edhe pa baçelor?!
– Konsultimi me sindikatat dhe organizatat e punëtorëve në Kosovë për të arritur marrëveshje të pranueshme, përfshirë edhe Sindikatën e Punëtorëve në Sektorin Privat, ndërsa Qeveria Kurti II nuk i pranon as në takime sindikatat, duke i cilësuar gabimisht si ish-mbështetëse të partive të sotme opozitare?!
– Vendosja e një plani afatgjatë për rritjen e pagave që lidhet me objektivat e zhvillimit ekonomik, duhet të jetë objektiv i çdo qeverie, e jo të rriten pagat vetëm pak muaj para zgjedhjeve, të cilën sjellje e qortonte ashpër ish-opozitari Albin Kurti, tash Kryeministër i Kosovës.
Si qeveri, për të rritur pagat në sektorin publik, duhet të bazohemi edhe në disa indikatorë makroekonomikë e të rëndësishëm si:
– Duhet të kryhet një vlerësim i detajuar i situatës ekonomike të Kosovës, duke përfshirë rritjen e BPV-së, inflacionin dhe nivelin e papunësisë dhe numrin e lartë të familjeve me asistencë sociale.
– Duhet të identifikohen burimet e qëndrueshme financiare në buxhetin shtetëror prej mbi 3 miliardë eurosh. Rritja e pagave duhet të jetë e përballueshme pa rrezikuar financat publike.
– Një analizë e tregut të punës për të kuptuar se cilat janë pozitat me mungesë punëtorësh dhe kualifikime të kërkuara.
– Krijimi i politikave të qëndrueshme për të inkurajuar investimet dhe rritjen ekonomike, që do të krijonin më shumë burime financiare për pagat.
– Pjesëmarrja aktive në negociata me sindikatat për të siguruar që rritjet e pagave janë të drejta dhe të arsyeshme. A është normale të mos ketë joshje për të punuar në sektorin privat?! A është normale të jesh socialdemokrat si Kurti, e të bësh rritjen 55 euro si për Presidenten e Kosovës, si për mësuesit?! Ose je socialdemokrat, e nuk i pyet sindikatat, ose i subvencionon familjet e pasura që shpenzojnë shumë energji elektrike e me pompa termike?!
– Identifikimi i sektorëve të rëndësishëm që kërkojnë rritje pagash për të ruajtur cilësinë e shërbimeve publike, si arsimimi dhe shëndetësia.
– Zhvillimi i një mekanizmi për monitorimin e ndikimit të rritjes së pagave dhe përshtatja e strategjive në përputhje me rezultatet.
Sa i përket shumës së rritjes, kjo duhet të jetë e bazuar në:
– Inflacionin ekstrem në Kosovë dhe për të ruajtur fuqinë blerëse. Nëse produktiviteti rritet, kjo mund të justifikojë rritjen e pagave. Krahasimi me pagat në sektorin privat dhe rajonal (Serbi, Shqipëri e Maqedoni të Veriut) për të përcaktuar një rritje të arsyeshme.
Mbajeni mend: rritet paga 55 euro, ndërsa çmimet do të rriten sërish e do të dëmtohemi sërish, e veçmas punëtorët e sektorit privat. Gjithashtu, 55 euro është rritje minimale, kur vlera e saj ka rënë ekstremisht me inflacion. Kujtojeni se nëna ime pensionere i ka 120 euro në muaj, që është absurde të rritet vetëm 20 euro! Kujtojeni veteranin sa pagën minimale në euro, që edhe nëse i bëhet 200 euro, është tepër pak dhe nuk ka asnjë logjikë që nuk lejohet të punojë, se nuk e merr pensionin. Ose punon ilegalisht, pa kontratë dhe pa kontribute pensionale, duke e varfëruar në pleqëri.
S’po flas edhe për premtimin për rritje që nuk mund të bëhet pa e ndryshuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, sepse është shpikur pa bazë ligjore “njësia për koeficient” dhe mosndryshimi i koeficientit aktual, si dhe pa miratimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin 2025.
Albin Kurti e dëshmoi me këtë vendim dhe shumë të tjera, se jo vetëm është i ngjashëm me politikanët paraardhës, por edhe i ka rritur pagat shumëfish më pak në përqindje se paraardhësit e tij. Do të mbetet politikan i zakonshëm dhe do t’i rehabilitojë me këso veprimesh, të gjithë paraardhësit e tij. Për besë, politikan i dobët, si rritja e dobët e pagave.