Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë gjatë dy javëve të fundit janë shtuar rastet pozitive me Covid-19.
Kryeministri ka deklaruar se numri më i madh i tyre ka ardhur nga baret, restorantet dhe nga institucionet publike.
Hoti po ashtu ka bërë të ditur se janë krijuar grupe punuese të inspektoratit sanitar të cilët në mbështetje të Policisë së Kosovës do të jenë në mbikëqyrje të zbatimit të masave.
“Në dy javët e fundit, numri i rasteve është në rritje. Ende jemi nën nivelin prej 50 raste për 100 mijë banorë që është pragu në grupin e vendeve me rrezikshmëri. Prandaj duhet të kujdesemi ta mirëmbajmë këtë situatë. Sot janë testuar rreth 10 mijë nxënës dhe arsimtarë në shkolla, përqindja e atyre që kanë dalë pozitiv është 5 përqind, që është mjaft e lartë. Rastet që po shtohen, po del se vijnë nga gastronomia dhe institucionet. Është e papranueshme që bartësit e institucioneve të mos kujdesen për respektim të masave”, tha Hoti, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se kanë informata nga Policia e Kosovës se në barnatore dhe në furra nuk po respektohen masat anti-Covid.
“Nuk mund të lejojmë që për shkak të papërgjegjësisë së një personi, biznesi apo institucioni të detyrohemi të marrim masa shtrënguese. Sot i kemi ftu të gjitha inspektoratet dhe jemi dakorduar të bëhen grupe punuese të inspektoratit sanitar dhe në mbështetje të policisë së Kosovës do të jenë në mbikëqyrje të zbatimit të masave. Ne duhet të mësohemi që të jetojmë me këtë pandemi edhe për një kohë”, deklaroi Hoti.