Evropa po përballet me rritje të numrit të rasteve me Covid-19, një muaj pas lehtësimit të kufizimeve, ka vlerësuar Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ai ka paralajmëruar vendet si Kosova, Shqipëria e Maqedonia se përhapja e shpejt mund të çojë sistemin shëndetësor buzë kolapsit.
Drejtori i OBSH-së për Evropë Dr. Hans Henri Kluge ka paralajmëruar për rrezikun e rishfaqjes së virusit edhe më herët, duke thënë se “nëse vendet nuk e mbikëqyrin atëherë sistemet shëndetësore do të shtyhen deri në zgrip”, shkruan BBC.
Në rajonin evropian të OBSH që përfshinë 54 shtete dhe shtatë territore në Evropë, Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore, janë raportuar mbi 2.6 milionë raste pozitive dhe mbi 195 mijë vdekje.
Tani pothuajse janë rreth 20 mijë raste pozitive dhe mbi 700 vdekje në ditë. “Për javë të tëra unë kam folur për rrezikun e ringjalljes së virusit dhe tani ky rrezik është bërë realitet. Prej këtyre vendeve, në 11 prej tyre transmetimi i përshpejtuar ka çuar një rishfaqje mjaft të theksuar të virusit. Nëse lihet i pakontrolluar, do të shtyjë sistemin shëndetësorë në prag”, ka deklaruar kreu i OBSH-së.
Në listën e këtyre 11 vende janë Kosova, Maqedonia Veriore, Armenia, Suedia, Moldavia, Azerbajxhani, Kazakistani, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kirgistani dhe Ukraina.
Dr. Kluge ka deklaruar se vendet si Polonia, Gjermania, Spanja dhe Izraeli janë përgjigjur shpejt ndaj shpërthimeve të reja dhe të rrezikshme duke i vënë nën kontroll.
“Ne duhet të përgatitemi edhe për vjeshtën, kur Covid-19 mund të takojë gripin sezonal, pneumoninë dhe sëmundje të tjera, sepse virusi është ende aktiv dhe po qarkullon e fatkeqësisht nuk e kemi asnjë trajtim efektiv dhe nuk ka vaksinë akoma”, ka deklaruar ai.