Ende pa e bërë plot një vit pa regjim të vizave, institucionet e BE-së kanë nisur të ngritin shqetësime sa i përket Kosovës, kjo për shkak të rritjes masive të kërkesave të pabazuara për azil që janë bërë nga shtetasit e Republikës së Kosovës në vendet e Zonës së Schengenit.
Një raport i Komisionit Evropian që i është dorëzuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës, ka theksuar se në shtatë muajt e parë të vitit 2024 janë paraqitur 3 mijë e 905 kërkesa në shtetet anëtare të BE-së, apo 108 % më shumë krahasuar me të njëjtë periudhë të vitit 2023.
Këto të dhëna dalin nga raportimet që kanë bërë disa shtete sa i përket kërkesave për azil të paraqitura nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Megjithatë, disa shtete anëtare raportuan një rritje të konsiderueshme të kërkesave të pabazuara për azil të paraqitura nga qytetarët e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024. Në shtatë muajt e parë të vitit 2024, 3 905 kërkesa janë paraqitur nga qytetarët e Kosovës në shtetet anëtare të BE-së (+108% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023)”, thuhet në raportin që Komisioni Evropian ia ka dërguar Parlamentit dhe Këshillit.
Ndonëse në raport konstatohet se Kosova vazhdon të përmbushë kërkesat lidhur me liberalizmin e vizave, Komisioni Evropian thekson se është e nevojshme që të bëhen përpjekje të mëtejme, duke kërkuar kontroll më rigoroz të mbërritjeve pa viza të shtetasve të vendeve të treta, sidomos të vendeve që paraqesin rrezik sigurie ose për migrim të parregullt.
Gjithashtu është kërkuar edhe forcim i iniciativave të nisura së fundi në bashkëpunim me shtetet anëtare për të monitoruar çështjen e kërkesave të pabazuara për azil nga qytetarët e Kosovës tek shtetet anëtare.
Lidhur me problemin e kërkesave të mëdha të pabazuara për azil, Gazeta Express ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, duke qenë se ky shtet shihet si oazë e punësimit nga kosovarët.
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme i Qeverisë Gjermane në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express ka thënë se Qeveria Federale është duke monitoruar me kujdes zhvillimet në Kosovë.
“Qeveria Federale po monitoron me kujdes zhvillimet në Kosovë. Që nga 1 janari 2024, shtetasit e Kosovës nuk kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në zonën Shengen. Ky përjashtim nga kërkesa për viza vjen pas një dialogu shumëvjeçar për liberalizimin e vizave ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, ka deklaruar ky zëdhënës.
Nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë kanë thënë se Komisioni Evropian monitoron të gjitha shtetet jashtë BE-së, shtetasit e të cilave janë të liruar nga kërkesave për vizë, në mënyrë që të përcaktojë nëse këto vende vazhdojnë të përmbushin kriteret për lëvizje të lirë pa viza edhe pas përfundimit të bisedave për liberalizimin e vizave.
Zëdhënësi i MPB-së gjermane ka thënë se është përgjegjësi e Komisionit të aktivizojë atë që njihet si mekanizëm i pezullimit të vizave, në rast se konstatohet se vende individuale jashtë BE-së nuk i përmbushin më kriteret për të lëvizur pa viza.
“Nëse Komisioni Evropian konstaton se vende individuale jashtë BE-së nuk i përmbushin më këto kritere, atëherë është përgjegjësi e Komisionit Evropian të aktivizojë atë që njihet si mekanizmi i pezullimit të vizave”, ka thënë ky zëdhënës i Minsitrisë së Brendshme të Gjermanisë për Express.
Tutje nga Berlini kanë thënë se raporti i shtatë i Komisionit Evropian për mekanizmin e pezullimit të vizave që është publikuar më 6 dhjetor 2024, i është drejtuar gjithashtu edhe Kosovës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme thotë se Kosovës i janë dhënë edhe rekomandime, ku kërkohet edhe përforcim i fushatave të ndëgjegjësimit dhe aplikimi i kontrolleve më të rrepta gjatë nisjeve.
“Një nga gjetjet e Komisionit Evropian ishte se numri i kërkesave të pabazuara për azil të paraqitura nga shtetasit e Kosovës ishte rritur ndjeshëm që nga janari i vitit 2024.Që Kosova të vazhdojë të përmbushë kriteret për udhëtim pa viza, Komisioni rekomandoi që të ndërmarrë veprimet e mëposhtme: “Vazhdoni dhe forconi iniciativat e nisura së fundi në bashkëpunim me shtetet anëtare për të monitoruar çështjen e kërkesave të pabazuara për azil nga qytetarët e Kosovës në shtetet anëtare, duke përfshirë edhe përforcimin e fushata ndërgjegjësimi për të informuar mbi rregullat që zbatohen për të udhëtuar në zonën Shengen dhe duke aplikuar kontrolle më të rrepta gjatë nisjeve”, ka përfunduar ky zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë./GazetaExpress/
Pjesë e RAPORTIT ku specifikohet numri i madh i azilkërkuesve pa bazë apo pa arsye të vlefshme: