Kuvendi Komunal në Kamenicë, me shumicë votash, sot i ka kërkuar kreut komunal Qëndron Kastratit ta pezullojë reformën arsimore, të filluar muaj më parë.
Shefi i grupit të këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besnik Rudhani ka bërë të ditur se ky vendim është sjellë në dakordim me subjektet e tjera opozitare. Ai ka thënë se në rast se kryetari i komunës nuk e përfill rekomandimin e Kuvendit Komunal atëherë ata do të organizohen dhe nuk do të votojnë për propozimet të cilat dërgohen për miratim nga ana e ekzekutivit të komunës.
Ndërkaq kryetari i komunës së Kamenicë, Qëndron Kastrati të enjten ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga implementimi i reformës meqë kjo është në të mirën e nxënësve. Sipas tij, rënia e numrit të nxënësve në shkolla i ka detyruar që të zbatojnë këtë reformë. Ai është shprehur se çdo paralele duhet t`i ketë së paku 20 nxënës.