Shkruan: Selajdin Abdullahu
Rizgjedhja e Mehmet Balazhit për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, një fitore e merituar!
Po ndalemi në një komunë të vogël të Republikës së Kosovës, pikërisht në Hanin e Elezit. Jo se ka ndonjë ekonomi të madhe, por e udhëheq një njeri i zgjuar dhe luftarak.
Kur isha në burgun e Gjilanit, në fund të viteve ’80, u krijua një zhurmë nëpër koridoret e burgut dhe, përmes komunikimit që mbanim me dhomat e tjera, u informuam se i kishin arrestuar një grup të rinjsh nga Hani i Elezit (në mesin e tyre Mehmet Ballazhi, Ibrahim Curri dhe Nexhat Ballazhi). Ata kishin formuar një grup ilegal për të zhvilluar aktivitet patriotik, për të shkruar parulla dhe për të shpërndarë materiale, si shumë grupe të tjera që punonim kundër regjimit në ish-Jugosllavi.
Kushtet e burgut ishin të mjerueshme; burgu i Gjilanit llogaritej si një nga burgjet e sigurisë së lartë në atë kohë. Sa për informim, aty kishin qëndruar shumë figura të njohura si Metush Krasniqi, Rexhep Mala, Ukshin Hoti e Femi Lladrovci, si dhe dhjetëra patriotë të tjerë nga të gjitha viset shqiptare në ish-Jugosllavi.
Për këto kushte të tmerrshme, një ditë vendosëm të bënim grevë urie, për të kërkuar kushte më të mira dhe për të na lejuar një laps e disa favore të tjera që na mungonin — edhe pse ishim të dënuar. Na mbanin në burgun hetues të Gjilanit, pasi burgjet e tjera në ish-Jugosllavi nuk pranonin të burgosur politikë shqiptarë, sepse protestonin dhe konsideroheshin “të papërshtatshëm”, sipas tyre.
Pasi këta të rinjtë e Hanit të Elezit ishin në hetime dhe donim t’i lehtësonim, që të mos futeshin në grevë urie, njërit prej tyre që e kisha në dhomën afër ia lash një njoftim dhe i tregova për vendimin e shokëve që kishim marrë. Më falënderoi për njoftimin dhe më tha:
> “Në asnjë mënyrë, ne nuk duam të mos ju bashkëngjitemi shokëve në përmbushjen e kërkesave tona elementare.”
Vendosmëria e tyre, edhe pse nuk i njihja e as nuk i kisha takuar asnjëherë fizikisht, më mahniti — edhe pse ishin vetëm 19–20 vjeçarë. Edhe ne nuk ishim më të vjetër se 22–23 vjeç.
E bëmë grevën të gjithë, dhe si rezultat i saj nuk fituam asgjë; përkundrazi, na dënuan. Na kufizuan ushqimin nga pakot e familjes, na shkurtuan vizitat familjare nga 10 minuta në 5 minuta, e shumë kufizime të tjera. Pas disa kohësh, nga Gjilani na dërguan në burgun e Dubravës së Istogut.
Aty u takuam për herë të parë me Mehmet Ballazhin dhe shumë shokë të tjerë. Mehmeti ishte një djalosh i ri, por shumë serioz dhe i zgjuar — një student shembullor që, me shokët e tij, kishte studiuar në UP, por ua kishin ndërprerë studimet në gjysmë, si shumë shokëve të tjerë.
Pas qëndrimit mbi tre vjet në Gjilan — që ishte si një gijotinë — në burgun e Dubravës ishim më të lirë. Dhomat i kishim të hapura dhe nëpër pavijone mund të lëviznim lirshëm. Aty u takuam për herë të parë me Mehmetin dhe shumë shokë të tjerë. Mehmeti dallohej nga të tjerët për vendosmërinë dhe dijen, një njeri me autoritet dhe integritet të lartë — një patriot i kulluar.
Pas daljes nga burgu i Dubravës, (siç thoshte baca Adem Demaçi: “dilnim nga një burg i vogël në një burg të madh – Kosova e okupuar”), Mehmeti, nga kushtet e vështira, u detyrua të emigronte në Gjermani, si shumë veprimtarë të tjerë, për të mbajtur familjen në vendlindje.
Atje takoi shokun e tij të burgut, profesor Ramadan Tahirin, një profesor i shquar i gjuhës shqipe, i cili shquhej për muzikë dhe art. Ata ishin takuar në kurset e gjuhës gjermane që ishin të detyrueshme për të gjithë të huajt, për punësim dhe integrim, sipas rregullave gjermane. Profesoresha që mbante kursin e gjuhës gjermane ishte shprehur:
> “Në dekada që mbaj kurse, nuk kam pasur asnjë të huaj me theks (akcent) gjerman si Mehmet Ballazhi.”
Në atë moment ishte i pranishëm edhe prof. R. Tahiri, i cili më ka treguar këtë shumë herë.
Thirrjes “Atdheu në rrezik, vendlindja thërret!”, Mehmeti iu përgjigj ndër të parët, duke u bërë një ndër ushtarët e UÇK-së në zonën e tij. Ai u bë një urë e sigurt për kalimin e udhëheqësve të luftës nga Tetova në zonat e luftës në Kosovë.
Urime komandant, urime Mehmet Ballazhi.
Kjo është një fitore e merituar e njeriut me vyrtyte te larta, humane njerezore dhe atdhetare.

