Rrugët në rajonin e Ferizajt, duke përfshirë qytetet Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, janë kryesisht të kalueshme për qarkullim, njofton Policia Rajonale e Ferizajt.
Përjashtim bën aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin tek fshati Sojev, i cili për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë mbetet i mbyllur për qarkullim. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Veseli shtoi se të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën alternative: Ferizaj – Mirosal – Gjilan dhe anasjelltas. Ai apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes nëpër fshatra, ku kushtet atmosferike dhe sasia e borës mund të ndikojnë në qarkullim.
Veslei gjithashtu u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës. Policia njofton se patrullat janë në terren dhe do të monitorojnë vazhdimisht gjendjen e rrugëve për sigurinë e qytetarëve./Telegrafi/









