Rruga “Pajazit Ahmeti” në Gjilan po shkon drejt finalizimit, ndërsa pamjet e fundit nga punimet janë publikuar nga kryetari i komunës, Alban Hyseni, përmes një videoje në profilin e tij zyrtar. Hyseni ka bërë të ditur se kjo rrugë, së bashku me segmente të tjera në qytet dhe lagje, do të asfaltohet dhe do të marrë një pamje të re në kuadër të transformimit urban që komuna ka nisur.
Ai ka theksuar se, pavarësisht vështirësive financiare dhe sfidave që kanë ardhur si pasojë e mosmiratimit të buxhetit, punimet infrastrukturore nuk do të ndalen. Sipas tij, komuna do të vazhdojë të gjejë zgjidhje për të përmbushur nevojat prioritare të qytetarëve.
Hyseni u shpreh i bindur se shërbimet komunale do të ofrohen për të gjithë qytetarët, pa dallime politike, duke theksuar se përkushtimi i institucionit mbetet përmirësimi i mirëqenies dhe jetës së komunitetit./Radio Star/










