Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, njihet personalisht me kokat e grupit terrorist që kanë kryer sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Rrustemi ka publikuar një video, ku një grup serbësh shihen derisa bisedojnë me Vuçiqin.
Sipas tij, janë pamje të vitit 2021, ku aty prezent është edhe Vladimir Radojeviq, i njohur si “Mami”, që ditë më parë u evidentua si pjestar i Mbrojtjes Civile” dhe një nga drejtuesit e “Brigadës së Veriut”.
“Në videon më poshtë shihni momentin pasi flet ‘’Mami’’ (personi me flokë të gjata) flet një tjetër person, atij Vuçiq i kërkon të prezentohet. Atë (Mamin) e njoh, ndërkaq këtë jo, thotë Vuçiq. Çka tregon se ai ka lidhje direkte e personale me këta individë”, ka shkruar deputeti në Facebook.
Tutje, ai tha se “Mamit” iu është gjetur telefoni në vendin ku është iniciuar aktivizimi i minës, që për pasojë la të vdekur rreshterin dhe heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku.