Radio Televizioni i Kosovës mund të humbasë qindra/mijëra euro, pas një padie të bërë nga regjisori kosovar, Ekrem Sopi.
Ky i fundit, i cili udhëhiqte një emision aspak të shikuar, të quajtur “Ha ha land”, ka dërguar në institucionet e drejtësisë televizionin publik.
Regjisori Sopi, në një prononcim për “Indeksonline”, ka deklaruar se s’ka marrë asnjë cent nga televizioni publik. Megjithatë, ai e pranon se nuk kishte kontratë zyrtare.
“I kam pas 8 emisione dhe disa emisione të gatshme në arkiv që kemi grumbulluar materiale. S’kam lyp ende, sepse është duke u bërë ekspertiza financiare. Ato emisione s’janë paguar, s’kam marrë kurgjo prej tyne. Janë neglizhu punët. Kontratë s’kemi pas, kemi prit me bë”, është shprehur ai.
Ndërsa, lidhur me këtë rast, ndryshe deklarohen stafi menaxhues i RTK-së. U.d. i drejtorit të përgjithshëm, Shumbin Ahmetxhekaj ka konfirmuar se rasti është ende në Gjykatë.
“Regjisori Ekrem Sopi po kërkon dëmshpërblim për transmetimin e 8 emisioneve në RTK3 për të cilat nuk ka pasur asnjë procedurë, e asnjë kontratë valide. Emitimi i emisionit parodik ‘Ha Ha Land’ në kanalin e lajmeve të transmetuesit publik, pa asnjë procedurë ligjore dhe shkresë zyrtare është shkelje e rëndë e rregulloreve të brendshme të RTK-së”, u shpreh ai, duke shtuar se televizioni publik ka përfaqësuesin e saj ligjor në këtë proces.
Shkumbin Ahmetxhekaj (@Shkumbin_Ah) / Twitter
Shkumbin Ahmetxhekaj
“Indeksonline” ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore (Departamenti për çështje ekonomike) në Prishtinë ku theksohet në detaje dëshmia e Sopit dhe disa drejtuesve të RTK-së.
Në mesin e tyre është edhe ish-kryeredaktori (RTK3) dhe moderatori, Ridvan Berisha, shok i regjisorit që ka paditur televizionin publik.
Berisha, në cilësinë e dëshmitarit, rrëfeu se si me regjisorin ishte takuar disa herë për të biseduar rreth nisjes së emisionit.
“… në diskutim e sipër që ishte diskutimi i parë në njërën prej ambienteve në Gjilan, me interesimin tim kërkova që të ma zbërthej inden e këtij koncepti televiziv”, thotë Berisha në rrëfim.
Më tej, ai dëshminë e vazhdon duke thënë se emisioni “Ha ha land” ishte atraktiv dhe i veçantë në pejsazhin mediat të Kosovës.
“Kemi vijuar bisedat e shpeshta me interesim edhe timin për ta akumuduar këtë produkt në kuadër të kanalit të lajmeve RTK3. Në njërën prej bisedave në RTK, në zyrën time ka qenë prezentë edhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala”, thotë ai. /Indeksonline/A.M./