Sekretari amerikan i Shtetit kërkon uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë për të krijuar kushte për prosperitet në Ballkanin Perëndimor.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriç, të mërkurën në Uashington, ka kërkuar nga Serbia që t’i depërshkallëzojë tensionet me Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinë, për të avancuar stabilitetin rajonal, rritjen ekonomike dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, ka njoftuar gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Serbia janë pajtuar të zhvillojnë dialog të përbashkët strategjik në fund të këtij viti, që i shërben qytetarëve dhe interesave të të dy vendeve.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe zyrtari i lartë i Byrosë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, i cili gjatë korrikut vizitoi disa shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.
Ndryshe, takimi vjen në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka nisur t’i përmend Kosovën e Serbinë si shembuj ilustrues të aftësisë së tij për zgjidhjen e konflikteve. Ai ka deklaruar së fundmi se kishte parandaluar një sulm të Serbisë ndaj Kosovës, ndërsa para kësaj ishte zotuar se do t’i korrigjonte gabimet e paraardhësit i tij, Joe Biden, në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur sërish pas arrestimeve të fundit që autoritetet serbe kanë kryer ndaj qytetarëve të Kosovës gjatë tranzitit nëpër territorin e Serbisë. Në përgjigje ndaj kësaj, autoritetet kosovare kanë arrestuar zyrtarin serb, Igor Popoviç, ndaj të cilit është caktuar një muaj paraburgim për nxitje të përçarjes.