Deri më tash, askush nuk ka botuar një studim të tillë. Studimi “Hajmet i hanë refugjatët” i sociologut Avni Rudaku, bën fjalë për qëndrimin e jetesën në qendrat e strehimit të azilkërkuesve kosovarë dhe refugjatëve të Lindjes së Mesme, gjatë tërë vitit 2015, në disa qytete, qyteza e periferi të Gjermanisë. Ajo çfarë ndodh në hajmet gjermane në mes të azilkërkuesve nga emigrimi i parregullt kosovar 2014-2015, përplasjet, solidariteti, paragjykimet, stereotipat, bisedat, ndarja e tualetit, kuzhinës e korridorit të përbashkët, konfliktet ndërkulturore me vendasit dhe anasjelltas, paraqiten në hollësi në vëzhgimin me pjesëmarrje direkte, nga sociologu Rudaku.
“Hajmet i hanë refugjatët” rekomandohet fuqishëm për Zyrat Komunale për Kthim dhe Komunitete, Departamentin për Riintegrimin e të Riatdhesuarve të MPB-së, organizatat botërore e lokale për refugjatë, demografë, sociologë dhe në përgjithësi për çdo lexues.
Libri u financua nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, me shtëpi botuese “Qendra Multimedia”, me dizajner, Migjen Fazliun, redaktor Selim Dakun, lektore Shqipe Morinën.