Shkruan: Avni Rudaku
Diçka për reformat në partitë dhe degët e tyre lokale në Kosovë e Gjilan
Fitorja e Vetëvendosjes më 14 shkurt, gjënë më të mirë, e ka: detyrimin në reforma të brendshme të partive të mëdha si LDK e PDK. Po të mos humbnin thellë, do të shkonin me avazin e vjetër për kohë të gjatë. Pra, shkuan në reforma, me detyrim nga humbja e thellë dhe shumë mirë. Mirëpo, ajo çka quaj unë reformë, nuk është vetëm ndryshim resursesh humane, kuadro, njerëz të rinj, anëtarësim e përfshirje të figurave të reja publike, por ndryshim të qasjes, funksionimit të partisë nga brenda, me demokraci, me statut, pa ndërskamca brendagrupore, me krijim të një programi pas identifikimit të problemeve të reja, me dalje në terren, me analiza të dhënash nga profesionistë të fushave të ndryshme, me funksionalizim real të komiteteve profesionale dhe me meritokraci.
P.sh., kryetari i komunës fiton, por ekipin fitues, anëtarët që kanë mbledhur më së shumti vota, kur kanë profesionalizëm, nuk i angazhon fare, por i merr nga jashtë, i kontrollon e shkarkon më lehtë. Nuk bashkëpunon fare me ekipin fitues. I shfrytëzon për akumulim votash dhe mbaron rëndësia e tyre si resurse njerëzore.
Është e vërtetë: ka njerëz që marrin shumë vota nga qytetarët, por janë profesionistë të dështuar për poste si drejtorë komunalë, ministra etj. Por ka edhe që i kanë dyjat: edhe hambar votash masive, edhe profesionistë. Madje, reformë do të thotë, të investosh në profesionalizim të kuadrove brenda partisë. Merr trajnerë e profesionistë, futi kuadrot e partisë dhe mos i lë duke u marrë me gjëra koti. Kur nuk arrin të rekrutosh profesionistë në parti për sektorë e pozita të veçanta, merr kuadro edhe jashtë, gjithsesi.
Deri sonte, çka pashë, pashë figura të reja, por jo përmbajtje të re, te partitë politike në reformim e sipër.
Reforma është edhe ndryshim figurash publike, edhe gradim të atyre që e merituakan, edhe degradim, apo ulje pozitash e përjashtim nga pozita të rëndësishme brendapartiake, të atyre që nuk punuakan. Ndërsa për figurat politike, me aktgjykim final të konfirmuar nga gjykatat, trajtim edhe më të ashpër për ulje në pozita dhe distancim strikt.
Reforma është në njerëz, përmbajtje, program, ide, zgjidhje, angazhim, shpërblime e ndëshkime jofizike (heqje nga pozitat joadekuate) dhe vizion i ri.
Deri sonte, pak ndryshime kuadrosh dhe pa ndryshime fare në përmbajtje.
Fatkeqësisht!