Në Gjilan, në sallën e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, ka filluar së zbatuar projekti “EDUART” – projekt individual i sociologut Avni Rudaku, i mbështetur financiarisht nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës.
Projekti ka për qëllim edukimin e të rinjve dhe të rejave nga shumica shqiptare, komuniteti serb, rom e turk, për trashëgiminë kulturore dhe historike në Rajonin e Gjilanit, duke u organizuar ligjërata, prezantime, sesione diskutimesh dhe vizita në objektet kulturore, si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale.
EDUART u hap me një ligjëratë të Dr. Selim Dakut, i cili theksoi rëndësinë e etikës gjatë vizitave në objektet fetare. Daku ndau me pjesëmarrësit rregullat dhe kodet e sjelljes që duhet të respektohen në tempujt fetarë, duke përfshirë veshjen e përshtatshme dhe ndjekjen e ritualeve si heqja e këpucëve dhe vendosja e shamisë, dhe një sërë rregullash të tjera për qetësi, kujdesin ndaj ikonave, respektimin e rregullave të veçanta varësisht nga feja, kultura e vendi.
Ai gjithashtu diskutoi rreth disa traditave dhe kulturave të Lindjes së Largët dhe të Lindjes së Mesme, duke theksuar rëndësinë e nderimit të figurave dhe vendeve të shenjta, duke respektuar diversitetin fetar dhe kodin e mirësjelljesh gjatë çdo vizite të institucioneve fetare.
Pas tij, ligjërata u mbajtë nga PhD Cand. Shqipe Daku, e cila diskutoi për rëndësinë e integrimit të trashëgimisë kulturore në kurrikulat parauniversitare të Kosovës dhe zbatimin e tyre për trashëgimi kulturore me aktivitete jashtëkurrikulare. Ajo theksoi rëndësinë e përdorimit të teknologjisë dhe realitetit virtual për të mundësuar vizita të distancuara në institucionet kulturore në Kosovë, si dhe nevojën për bashkëpunim ndërlëndor në edukimin e nxënësve për ruajtjen e trashëgimisë, duke rekomanduar edhe organizimin e vizitave kulturore nga shkollat, si pjesë e aktiviteteve jashtëkurrikulare në objektet kulturore dhe historike.
Më pas, Dr. Blerim Haziri, historian dhe mësimdhënës për kohë të gjatë në fushën e ekologjisë, foli për rolin e artit në ruajtjen e mjedisit dhe monumenteve natyrore. Ai dha shembuj të shumtë të instalacioneve artistike, pikturës, fotografisë, dramës, muzikës dhe filmit, që mund të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe monumenteve natyrore.
Në fund, Dr. Asdren Toska, në fushën e marketingut dhe sponsorizimit në kulturë, vuri theksin në rëndësinë e mbështetjes financiare për aktivitete kulturore. Ai theksoi ligjin aktual që ofron ulje të tatimit në fitim deri në 20 për qind për bizneset që sponsorizojnë aktivitete kulturore dhe rekomandoi ndryshimin e tij për të inkurajuar më tej përkrahjen e artit dhe trashëgimisë kulturore.
Ngjarja u pasua me një vizitë të udhëhequr nga Arton Hoxha, nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Rajonit të Gjilanit, i cili njoftoi pjesëmarrësit me disa nga pikat më të rëndësishme kulturore dhe historike në Gjilan. Grupi i të rinjve dhe të rejave vizitoi Atik Xhaminë, Muzeun Etnografik, Muzeun Rajonal të Gjilanit dhe Kishën Ortodokse të komunitetit serb, duke u njohur me trashëgiminë fetare dhe kulturore të qytetit.
Në gjuhën serbe, për pjesëmarrësit gjatë vizitës në Kishën Ortodokse në Gjilan, përktheu Enver Sadiku, ndërsa për komunitetin turk, u angazhua në përkthim, Blerina Morina. Fotografitë gjatë tërë aktiviteteve në EDUART, do të jenë nën përkujdesjen e studios fotografike të Ylfete Fazliut.
Projekti EDUART do të vazhdojë me ligjërata dhe aktivitete të tjera, duke sjellë edhe profesionistë të tjerë, duke organizuar edhe vizita në objekte kulturore dhe historike në zonat rurale të Gjilanit.