Shkruan: Avni Rudaku
Gjilani brenda një dite, kishte tri morte: vdiq një mjek, një biznesmen dhe djali i një shkrimtari – ikonë e Gjilanit e më gjerë, Beqir Musliut. Pikëllim i madh në Gjilan, me tri vdekje brenda dy ditësh, me sfond tri profesione: mjekësinë, biznesin dhe letërsinë.
Në këtë ditë morti, dua të bëj thirrje për një kujdes të ndërhyrjeve urgjente në objekte të pabanuara ose të banuara, që nga syri i lirë, shihen me rrezik për jetën e kalimtarëve.
Në Prizren, e dimë tragjedinë e vdekjes së voglushes gjatë ecjes së lirë dhe rrëzimit të një objekti të trashëgimisë kulturore, që përfundoi me fatalitet! Kjo shtëpia në foto, është në “Rrugën e Varoshit” në Gjilan, e cila duket e vjetëruar dhe me rrezikun për rënien befas të ndonjë pjese të saj të vrazhdë, veçmas ballkonit nga ana e rrugës e trotuarit publik. Kjo shtëpi është ndër më të bukurat për fotografi, por jo edhe për kalimtarët e rastit ose banorët përreth. Pavarësisht a banon a jo dikush në shtëpi të tilla përskaj rrugës publike, institucionet komunale të Gjilanit, duhen të monitorojnë dhe inspektojnë shtëpitë analoge, për të identifikuar shkallën e rrezikut dhe eventualisht, rrënimin e tyre me kohë. Pavarësisht pronë private apo publike, e braktisur apo jo, duhet parë me kujdes, sepse mund të shndërrohet në mort.
Prandaj, veçmas për këtë shtëpi, që e dua fort për fotografi, për të evituar ndonjë shembje të papritur të ndonjë pjese të saj, e rezultimit me tragjedi morti, apo qoftë edhe lëndim fizik apo traumë psikologjike, bëj apel për inspektim emergjent nga drejtoritë përkatëse të Komunës së Gjilanit.
Nëse e kam nga shqetësimi i tepruar, kërkoj ndjesë; nëse syri im nuk e ka vërejtur mirë dhe e ka ekzagjeruar, sërish kërkoj ndjesë. Lutem të jem gabim, por pas inspektimit, besoj se do të merret një vendim nga pronari, komuna apo bashkë, që të sanohet apo hiqet ndonjë pjesë e saj. Frikësohem për ndonjë tragjedi. Qofsha gabim në paralajmërim! E kemi obligim si qytetarë të shqetësohemi jo vetëm për çështje private, por edhe për çështje publike; jo vetëm për fatin tonë, por edhe për fatin e të gjithë neve.