Radiostar, 12 nëntor 2024 – Gjilan – Avni Rudaku, autor i librit më të ri dhe të pestë “Përafërsisht”, organizoi sot promovimin e parë në Kosovë, me anë të inteligjencës artificiale, në Universitetin e Gjilanit.
Libri “Përafërsisht”, me një strukturë të veçantë përmbajtjesore, ndërthurë tematikën e revoltës, revolucionit, rinovimit dhe refuzimit, duke trajtuar tema si teknologjia, vetmia, pushteti dhe alienimi i individit në shoqërinë moderne. Në kapitullin e parë, Revoltim, autori Rudaku shpreh një ndjenjë të thellë të frustrimit dhe rebelimit ndaj botës që ndodhet në një krizë ekzistenciale, ku elementë të tjerë si teknologjia dhe ndjenjat personale bëhen mënyra për të përballuar një realitet të paqartë. Përmes nëntitujve të fuqishëm si “AI”, “Celularin me yndyrë” dhe “Prindërit e fëmijëve të botës”, ai kritikon ndryshimet shoqërore dhe ndikimin e teknologjisë në marrëdhëniet ndërpersonale, edukim dhe lirinë e individit.
Në kapitullin e dytë, Revolucion, autori kalon nga një revoltë personale në një reflektim më të gjerë rreth shoqërisë dhe të ardhmes. Tema e pushtimit të planetit të kuq dhe e atdheut paraqesin një kritikë ndaj ideve të nacionalizmit të vrazhdë dhe autoritetit, duke i trajtuar këto si forma të tjetërsimit që shtypin individët dhe i detyrojnë ata të përjetojnë një lloj të jetesës artificiale. Ky kapitull shkon përtej kritikës së thjeshtë dhe hyn në një sferë më të thellë sociologjike dhe filozofike, ku individët mund të gjejnë shpëtim vetëm përmes një rigjenerimi të thellë të shpirtit dhe mendjes, siç sugjeron edhe vetë titulli i kapitullit, revolucioni si një akt shpëtimi.
Në kapitullin e tretë, Rinovim, autori Rudaku ofron një pamje të mundshme të botës pas krizës, duke sugjeruar se rinovimi i shoqërisë dhe individëve është i mundur vetëm përmes një përvoje të thellë dhe shpirtërore. Tematika e shpirtit të thyer, shkëlqimit të shpirtit dhe vetmisë me teknologji, bëjnë thirrje për një reflektim të brendshëm e të thellë, ku secili individ duhet të përballet me vetveten për të gjetur një rrugë të re në epokën e inteligjencës artificiale, Neuralink-ut, skrollit. Megjithatë, ai nuk paraqet një pamje rozë të ardhmes, por një përpjekje të vështirë dhe ndoshta të pasuksesshme për të gjetur një ekuilibër mes asaj që është dhe asaj që mund të jetë. Libri mbyllet me një ndjenjë të tensionuar, ku refuzimi dhe shkatërrimi i botës janë edhe një mundësi për riorganizim dhe fillim të ri.
Në fjalimin e tij, autori Rudaku ndau me të pranishmit refleksionet mbi skrollokracinë, një term që ai e përdor për të përshkruar sundimin e skrollit (ose lëvizjen e ekranit me gishta) dhe mënyrën se si kjo ka ndikuar në lexueshmërinë dhe aftësinë e individëve për të shpërqendruar vëmendjen në të gjitha zhanret e shkrimit në botë. Rudaku diskutoi gjithashtu se si mund të ndryshojnë proceset e të mësuarit dhe të lexuarit për shkak të ndikimit të vazhdueshëm të teknologjisë në jetën e përditshme.
Redaktimi i librit ishte realizuar nga Selim Daku, një emër i njohur në fushën e edukimit universitar, i cili theksoi përmes një videoregjistrimi, se libri i Rudakut, trajton dilemat e të tashmes dhe të ardhmes së teknologjisë së avancuar në jetën tonë të përditshme dhe në çdo fushë. “Rudaku në libër jo vetëm krijon emocion me tekstin e tij, por jep një analizë të detajuar, shumë të hollësishme mbi efektet e teknologjisë në shoqërinë bashkëkohore” – vazhdoi Daku.
Promovimi i librit, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), pas suksesit në aplikimin në thirrjen publike për mbështetjen e autorit 2024, u bë edhe më i veçantë me ndihmën e dizajnerit të kopertinës, Migjen Fazliut, i cili krijoi një pamje vizuale që pasqyronte thelbin e librit dhe temat që Rudaku trajton, duke e përshkruar kalin me skroll, në analogji me praktikën e dikurshme që ia mbyllnin sytë kalit, për të mos parë majtas ose djathtas, por vetëm përpara, ngjashëm me njeriun e sotëm që nuk sheh asgjë përtej skrollit disaorësh çdo ditë në rrjetet sociale, duke mbizotëruar kalimi sekondësh nga një imazh në imazhin tjetër, nga një video e shkurtër në tjetrën, duke humbur sensin e leximit tradicional dhe multizhanret e shkrimit.
Libri u realizua nga shtëpia botuese Lena Grafik në Prishtinë.
Në fund të 14 videove të shkurtra me AI dhe interaksionin me publikun, vetëm autori Rudaku doli në skenë për të thënë fjalën e vet. Ky moment shenjoi lidhjen e drejtpërdrejtë midis botës virtuale dhe asaj reale, një simbol i përpjekjes për të ruajtur kontaktin me thelbin njerëzor edhe në një epokë ku teknologjia po ndryshon përditshmërinë tonë.