Avni Rudaku, aktivist i dalluar për shumë vjet i Gjilanit e më gjerë, ka shkruar në murin e tij të fejsbukut:
Aq shumë ka vepra arti, heroi Agim Ramadani; aq shumë ka poezi; aq shumë ka skica në shtëpi, të papërfunduara, sakaq do të ishte e duhur që veprat e tij të ruhen në një muze në fshatin Zhegër. Duhet themelim i një muzeu për Agim Ramadanin, ku do të ndihmonin përveç komunës, edhe bashkëluftëtarët, mërgimtarët etj. Ka qenë ikonë e njohur e UÇK-së, Betejës së Koshares, piktor, poet… Zhegra do të ngjallej edhe më shumë nga vizitorët. Ka qenë dikur edhe komunë. Është kryefshat i dhjetëra fshatrave të Karadakut. Nxitet turizmi. Vijnë nga mbarë hapësirat shqiptare, sepse heroi Ramadani njihet në nivel pankombëtar. Një muze për Agimin, ia vlen shumë, sepse siguron ruajtjen e veprave të tij të gatshme. Veç ekspozita e fundit me kurator Din Azizin, me aq shumë vepra të gatshme dhe skica të bukura të vendosura në korniza, mjafton për një muze. Muzeu mund t’i ketë tre sektorë: artistik, letrar dhe militar. Në të parin, ekspozitë e përhershme me vepra arti; çdo gjë e tij, qoftë edhe një njollë ngjyre e hedhur në letër. Në të dytin, poezi të vendosura artistikisht, por edhe librat me përmbledhje poezish të tij, me një ulëse ku dikush si vizitor mund t’i lexojë ato në një kënd. Në të tretin, vendosen videot, fotot, veshmbathja, çdo gjë e Agimit, nga mobilizimi e organizimi në UÇK e deri te vrasja tragjike. Pa patetizëm romantik, por e mbështetur në faktet historike, biografike dhe me një interier e eksterier artistik, kreativ e bashkëkohor. Do të mund të bëhej vendosja e veprave në mënyrë kreative në muze, qoftë edhe vullnetarisht nga artistët e Gjilanit, ose me ndonjë thirrje publike për arkitektë për objektin e ri, ose transformim të ndonjë objekti ekzistues në Zhegër. Edhe në Gjilan bën, ama ma natyrshëm, ma nxitës për turizëm në Karadak, me idenë për t’i ngjallur kulturalisht dhe ekonomikisht fshatrat e komunës sonë. E di që ka kosto muzeu, por mund të bëhet zgjidhje. Dhe duhet të bëhet një zgjidhje. Përndryshe, veprat rrezikojnë të humbasin sa aty, sa këtu.