Kryesuesi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nga Vietnami ka ndërprerë takimin virtual për Kosovën që filloi pak minuta më parë pasi Rusia ka kërkuar që përfaqësuesja e Kosovës, Donika Gërvalla ta largojë flamurin e Kosovës nga prapavija.
Takimi është ndërprerë për konsultime lidhur me atë se si do të vazhdojë tutje.
Përfaqësuesi i Rusisë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka kërkuar nga udhëheqësi i seancës që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës në prapavijë ose të ndryshojë ambientin.
“Ne nuk jemi kundër përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet por vetëm si territor, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë pamjen prapa ose të heq flamurin në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha përfaqësuesi rus.
Ndaj kësaj kërkese të Rusisë, ka reaguar përfaqësuesi i Britanisë së Madhe duke thënë se nuk shohin arsye që të kryediplomatja kosovare të ndryshojë pamjen nga ku do të prezantojë.
“Ky nuk është një takim zyrtar dhe ne nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjet mbrapa për të vazhduar prezantimin”, tha përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar.