Sizmologët mendojnë se Kosova bën pjesë në listën e vendeve me aktivitet sizmik relativisht të lartë, ndërkaq me rrezik më të lartë janë tri zona. Duke pasur parasysh këto fakte dhe shembujt e nxjerrë nga tërmetet e fundit në rajon dhe Turqi, inxhinierët e ndërtimtarisë thonë se cilësia e ndërtimeve në Kosovë duhet të rritet përkundër se nuk është në nivel shumë të keq, ndryshim që sipas tyre mund të vijë duke e përmirësuar fazën e realizimit të punimeve, apo mbikëqyrjen e cila duhet të jetë më strikte.
Tërmete si ky i fundit në Turqi me fuqi 7.8 shkallë të Rihterit, sipas ekspertëve, duhet të jenë mësim edhe për Kosovën.
Shemsi Mustafa, udhëheqës i Rrjetit Sizmik, bënë thirrje që ndërtimet të kryhen sipas standardeve, ndërkaq tregon se Kosova bën pjesë në listën e vendeve me aktivitet sizmik relativisht të lartë.
“Janë tri zona, zona veriore e Kosovës që e përfshinë nga Mitrovica deri në kufi, zona veri-perëndimore deri në zonën jug-perëndimore që përfshinë nga Istogu deri në Prizren, dhe zona jug-lindore që është zona Ferizaj-Viti-Gjilan, që e përmenda tërmetin që e kishte goditur atë zonë”, ka thënë Mustafa.
Pikërisht duke pasur parasysh zonat me rrezik më të lartë dhe ndarjen zonale nëpër qytete, edhe inxhinierët bëjnë thirrje që ndërtimet të bëhen me planifikim.
Naser Kabashi, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë ka theksuar se Kosova sa i përket cilësisë së ndërtimit nuk qëndron keq, por janë disa mangësi.
“Koncepti i parë është i projektimit ku projektimi mendoj që është në nivel, dhe bëhet në standarde evropiane. Pastaj është përdorimi i materialeve që mendoj deri diku ka performancë ose rritje të performancës. Procesi më kritik është procesi i vënies në vepër ose realizimi i punimeve, e për mu si profesionist njëri nga problemet është mbikëqyrja e realizimit të punimeve”, ka shtuar Kabashi.
Kabashi këshillon që të forcohet mbikëqyrja, dhe të bëhet vlerësimi i sigurisë së objekteve ekzistuese të vjetra, përfshirë banesat e banimit, e po ashtu ato të rëndësisë nacionale.
Përgjatë shekullit të fundit zona të ndryshme të Kosovës janë goditur nga tërmete të fuqishme. Prizreni e Peja ishin goditur nga një tërmet me fuqi 6 shkallë të Rihterit, ndërkaq në vitin 1921, në Ferizaj, Gjilan e Viti kishte ndodhur tërmet edhe më i fuqishëm, 6.1 shkallë e Rihterit.
Ndërkohë në regjionin e Gjilanit më datë 24 prill 2002, u shënua tërmeti tjetër me fuqi 5.7 shkallë të Rihterit, me ç’rast një person kishte vdekur e ishin shkaktuar dëme të mëdha material./RTV Dukagjini/