Kosovarët po paralajmërohen për një dimër të acartë për sivjet. Por këto temperatura nuk i afrohen minimales së viteve të kaluara në Kosovë.
Në gjithë historinë meteorologjike të Kosovës, meteorologët kanë arritur që t’i regjistrojnë temperaturat më të ulëta në vend.
Minimalja preku kulmin në Kosovë ne vitin 1963. Në këtë vit, temperatura shkuan deri në – 32.4 gradë celsius.
Kjo epiqendër e motit të ftohtë ishte në qytetin e Gjilanit, ka thënë eksperti i çështjeve të hidrometeorologjisë në Kosovë, Sylë Tahirsylaj.
Ai për Express ka shpjeguar se vlerësimet për temperaturat e sivjetme nuk duhet të cilësohen alarmante, ngase sipas tij, Kosova ka pasur dimra edhe më të ftohte.
“Këto reshje bore do të jenë të qëndrueshme. Masat vijnë nga pjesa verilindore e rajonit dhe nuk janë vlera ekstreme. Kujtojmë se në vitin 1963 ishte shënuar temperatura ekstreme në Kosovë. Minimalja kishte prekur qytetin e Gjilanit ku temperaturat kishin arritur deri në -32,4 gradë celsius dhe në vitin 1965 temp më e lartë 39.0 gradë”, ka shpjeguar Tahirsylaj.
Ndërkohë, kujtojmë se meteorologët arritën të regjistrojnë temperaturën më të ulët që termometri ka shënuar ndonjëherë mbi planetin tonë.
Sipas tyre, në një majë mali, të quajtur “Fuji”, rreth 4 mijë metra të lartë në Antarktidë, është regjistruar temperatura e -91,2 gradë celsius, gjatë muajit dhjetor.
Rekordi i mëparshëm, i temperaturës më të ftohtë të regjistruar ndonjëherë, ishte -89,2 gradë celsius, matur nga stacioni rus i “Vostokut”, po në Antarktidë.
Nëse një njeri do të ekspozohet i pambrojtur në këto temperatura, sytë, mushkëritë dhe hunda do të ngrijnë brenda pak minutash, duke shkaktuar vdekjen.
Ndërkohë, qyteza ruse e Ojmiakonit në Siberi, me temperaturën -71,2 gradë, vazhdon të mbajë rekordin për temperaturën më të ftohtë të regjistruar në një vend të banuar.
Ndërsa në Shqipëri, temperatura më e ulët e regjistruar ndonjëherë, është -27,5 gradë celsius.