Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skënder Sadiku, tha se në këtë komunë prodhohen kriptovalutat.
Sadiku shtoi se njerëz nga vende të ndryshme marrin edhe objekte me qira për të zhvilluar aktivitetin e prodhimit të monedhave elektronike.
Ai tha se si pasojë e kësaj, shumë lagje të kësaj komune kanë pasur telashe me rrymën.
“Po, ka. Ka edhe objekte që janë marrë me qira. Ka njerëz që jetojnë në X vende dhe kanë marrë me qira, i paguajnë ndonjë fukaraje një shumë të caktuar të parave. Në atë fukarallëk kanë përfituar”.
“Po flas për komunën e Mitrovicës së Veriut, ku jam zgjedhur me vullnetin e 1 mijë e 23 qytetarëve. E vetmja lagje e cila s’ka pasur probleme me rrymë ka qenë ‘Kodra e Minatorëve’, pasi janë pak banorë shqiptarë aty dhe nuk kanë mundësi financiare të pajisen me mjete për prodhimin e kriptovalutave. Kurse lagjet e tjera si Lagjja e Boshnjakëve dhe dy Krojet e Vitakut kanë pasur telashe me rrymë. Edhe tash kur po flasim në Lagjen e Boshnjakëve ka familje që kanë rrymë në vetëm një fazë”, tha ai në Klan Kosova.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dje ka marrë vendim që të ndalohet aktiviteti i prodhimit të kriptovalutave për shkak të nevojës së kursimit të energjisë elektrike si pasojë e krizës energjetike që po mbizotëron në Kosovë.