Qeset e plastikes konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj të natyrës, që mund ta dëmtojnë edhe shëndetin e njeriut, thonë ekspertët. E nga Ministria e Ambientit për Radio Kosovën kanë thënë se është duke u punuar për zgjidhjen e këtij problemi.
Rreziku i përdorimit të qeseve të plastikes është i madh, jo vetëm për ambientin por edhe shëndetin e qytetarëve. Agron Bektashi, ekspert i ambientit për Radio Kosovën ka thënë se institucionet e vendit nuk janë marrë seriozisht për zgjidhjen e këtij problemi.
“Qeset e plastikes lirojnë një sasi të madhe toksinash. Çfarëdo që blejmë, posaçërisht nëse blejmë ushqim të paambalazhuar dmth: buka, pemë dhe perime që bien në kontakt direkt me qese të plastikes, ato lirojnë një sasi të ngjyrave dhe toksinave dhe mandej ne i fusim në trupin tonë”, tha ai.
Derisa në shumë vende të botës po i kushtohet rëndësi të veçantë largimit të produkteve nga plastika, në tregun e Kosovës, qeset e plastike dhurohen falas. Sipas Leutrim Sahiti, zëdhënës në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, parashihet që edhe Kosova të filloj aplikimin e qeseve me pagesë.
“Ne kemi filluar dhe jemi në proces të zgjedhjes së këtij problemi. Kemi pasur takime edhe me Shoqatën e shitësve me pakicë dhe qëndrimi i tyre është qe të kemi qese me pagesë”, tha ai.
“Ministria e Ambientit, ka vite të tëra që jep premtime të tilla, por që asnjëherë nuk ka aplikuar”, tha Bektashi.
“Janë katër gjëra të cilat unë i kisha potencua, aktivizimi dhe plotësimi i urdhëresës administrative për ndalesën e importit dhe prodhimit të qeseve që nuk janë bio-degraduese, pagesa e qeseve të plastikes dhe një fushatë në nivel nacional për përdorimin e bio- materialeve dhe shportave tradicionale”, potencoi Bektashi.
Përveç përdorimit të madh të qeseve të plastikës, Kosova qëndron keq edhe në trajtimin e tyre, pasi nuk ka vend për riciklim./rtklive/